Futboll

Drita siguron edhe një fitore të rëndësishme

Trepça ’89 – Drita 0:1

Shënues: Festim Alidema nga pika e bardhë në minutën 54.

Me synime të kundërta, Trepça ’89 dhe Drita kanë nisur ndeshjen në Stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Ekipi mitrovicas po lufton për t’i ikur largimit nga liga, derisa Drita edhe sivjet është një prej kandidatëve potencialë për të fituar titullin e kampionit. Rastin e parë më të mirë në pjëslojën e parë e pati Trepça ’89, kur Muhamed Darvish e shërbeu Muharrem Jasharin e ky gjuajti me të parën në këndin e epërm të majtë të Faton Malokut, i cili e priti topin me dorë dhe e dëboi jashtë vijës fundore.

Drita gjuajtjen  e parë e pati në minutën 39, kur Vucaj gjuajti nga largësia, kurse portieri Tofiloski bukur intervenoi.

Në minutën 43, Faton Maloku, portier i Dritës ka shpëtuar gol të sigurt, ngase pas pasimit të Muharrem Jasharit, Adenis Shala, i vetmuar para portierit Maloku, nuk arriti t’a mposht atë, ngase kur ai gjuajti në anën e djathtë, Maloku intervenoi për mrekulli.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, Drita kërkoi penalti, ngase Mashau në brendi e rrëzoi Alidemën. Gjyqtari jo që nuk dha penalti, por e ndëshkoi me karton të verdhë sulmuesin e Dritës.

Në minutën 50, Festim Alidema dha një gjuajtje dënimi nga largësia, por topi shkoi jashtë. Dy minuta më pas Pllana shkaktoi penalti, kurse përgjegjësinë për të gjuajtur nga pika e bardhë e mori Festim Alidema, i cili me një gjuajtje të bukur qëlloi këndin e epërm të majtë të portierit Darko Tofiloski për rezultatin 0:1.

Erijon Vucaj në minutën 68 dha një gjuajtje të mirë nga largësia, por Tofiloski me mund e priti topin, duke evituar gol të sigurt. Drita pati edhe dy raste të mira në minutat 74 dhe 75. Fillimisht Fazliu nga një pozitë shumë e mirë gjuajti jashtë porte, kurse pas goditjes nga këndi, gjuajtjen e Cuculit me kokë e priti portieri Tofiloski.

Në minutën 82, futbollistët e Trepçës ’89 kërkuan penalti me arsyetimin se portieri Faton Maloku në mënyrë të palejueshme kishte ndërhyrë në Arbër Shalën.

Deri në fund të ndeshjes Drita diti të ruaj rezultatin dhe në fund arkëtoi tri pikë shumë të vlefshme në luftën për titullin e kampionit.

You Might Also Like