OPINION

E PAKTA PËR FLAMURIN

Mehmetali Rexhepi

Valimi i flamurit për një çast më ndali serinë e dëshpërimeve… Thash: më paska mbetur i vetmi simbol, e vetmja ngjyrë kundruall të hirtës së dëshpërimit… Pamja e flamurit më rikthen te kujtimet e leckosura të njëmijë e nëntëqind e gjashtë dhjetë e tetës: dukja e parë publike e flamurit kuq e zi me shqiponjën dykrerëshe aty-këtu… E kisha parë dukjen e tij të fshehur përpara pamjes për të gjithë…Një trazim i përzier i shpirtit rinor… Ndodhi shpalimi publik pas bartjes së fshehur të tij prej atdhetarëve pa vullnetin shtet-mbajtës të sllavë-jugorëve… Ndjekje, tortura, përjashtime, burgosje, vrasje… Më përfytyrohen portrete të flamur-dashësve: Adem Demaçi, flijimtari për flamurin Fazli Greiçeci, Zeqir Gërvalla, Rexhep Elmazi… Bashkë-moshatari Rexhep Mala… Dhe ja sot: flamuri i Kastriotit, Hasan Prishtinës që mëtoi valimin e tij në Shkup; Mjekërbardhi i Kaninës shtegun e vetëm për ta shpaluar e gjeti në Vlorën heroike! Pushtimin otoman të Shqipërisë Lindore e zëvendësuan pushtues edhe më të egër!… Tashmë kur nuk është shqitur mëtimi për shfarosje “të parashikuara”, flamuri sikur më lutë: shqiptarë jam shenja juaj identifikuese dhe mos më nëpërkëmbni, mos më baltosni! Mos harroni: mandatet tuaja janë të përkohshme!… Simbolika ime ende ndiqet… Do të më ndjekin ata, të cilëve ua gjembosi shikimet…Por ju mos ma ktheni heshtas shpinën, mos më lëshoni për emër të asaj a të akëcilës ideologji, për ta ndërruar ngjyrën e gjakut!… Gjaku nuk mund të ketë tjetër ngjyrë, pos asaj që e derdhën dëshmorët!… Bij e bija: jeni joshur nga makutëria e mandatit përfitues; të tejdukshme janë bëmat, ligësitë tuaja nuk i mbulon dot, në emrin tim,retorika e demagogjisë… Nuk mjafton që flamuri i shpalosur në Festën e tij, të ketë vetëm simbolikën e përkatësisë…Kjo do të ishte më e pakta…
Megjithatë, edhe mes kanosjesh e brengash: gëzuar për simbolin e identifikimit tonë!

You Might Also Like