Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtorë ka vizituar sot Pozheranin, konkretisht Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) për të parë nga afër tunelin dezinfektues që është vendosur në oborr të kësaj qendre. Ky tunel dezinfektues është donacion nga kompania “Plastal”, përkatësisht nga Sabit Beqiri nga Vërbani i Vitisë. Me këtë rasti Kryetari Haliti potencoi se ky donacion është shumë i mirëseardhur në këtë kohë të pandemisë kur të gjithë po luftojnë kundër përhapjes së virusit COVID-19. “
Ky donacion është shumë i mirëseardhur për të gjithë ne, jo vetëm për stafin mjekësor të kësaj qendre, por edhe për të gjithë qytetarët të cilët marrin shërbime në Pozheran. Tuneli dezinfektues është shumë i rëndësishëm në parandalimin e përhapjes së këtij virusi, i cili tashmë ka prekur 45 qytetarë të komunës sonë. Falënderoj donatorin i cili po na ndihmon me këtë tunel dezinfektues në luftën e përbashkët kundër virusit pandemik COVID-19”, u shpreh Kryetari Haliti. Përndryshe një tunel i tillë dezinfektues është vendosur dje edhe në QKMF-në e Vitisë, i cili ishte donacion nga kompania “Ekologjia”.