Ka nxënës të mirë, ka nxënës të shkëlqyer, por ka edhe të rinj që me rezultatet e tyre bëhen shembull për një gjeneratë të tërë. Një prej tyre është Edion Ademi, i cili që nga ditët e shkollimit në Gjimnazin e Shkencave të Natyrës „Xhavit Ahmeti“ ishte ndër nxënësit më të dalluar, duke përfunduar shkollimin e mesëm me të gjitha notat pesa dhe duke dëshmuar një vazhdimësi të jashtëzakonshme në rezultate dhe një përkushtim të veçantë ndaj dijes.
Talenti i tij u dëshmua veçanërisht në shkencat natyrore. Në garat e kimisë në nivel të Kosovës, kishte arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur i pari në Olimpiadën e Kimisë në Kosovë.
Që atëherë, ai i kishte vënë vetit detyrë tjetër, të bëhet student në Fakultetin e Mjekësisë dhe kishte punuar me të madhe në këtë drejtim. Edhe mësimdhënësi i tij, Ilir Kastrati ishte i bindur në suksesin e nxënësit të tij, duke thënë se ishte ndër më të mirët në kimi dhe se për të suksesi nuk do të mungojë.

Atë që e kishte premtuar, Edioni edhe
e realizoi. Pas përfundimit të gjimnazit, ai zgjodhi një nga profesionet më të vështira, por edhe atë që më së shumti e kishte dashur – mjekësinë dhe rezultati ishte përsëri i jashtëzakonshëm.
Në listën e kandidatëve të pranuar në Fakultetin e Mjekësisë, në programin Mjekësi e Përgjithshme, Edion Ademi u rendit i pari. E kimia, lënda e tij e preferuar ndikoi shumë në këtë rezultat. Ai dha përgjigje të sakta në të gjitha pyetjet, duke arritur rezultatin maksimal prej 100 për qind.
Shkolla ku ai mësoi, mësimdhënësit që i pati dhe drejtoria e shkollës që e përkrahën i dhanë krahë, kurse Edioni kishte talentin, punën dhe ishte këmbëngulës në qëllimin e tij dhe ai se shpejti do të nis një kapitull të ri të jetës së tij. Përpara tij është një rrugë e gjatë, e vështirë, por njëkohësisht edhe fisnike, rruga drejt profesionit të mjekut.
„Ëndrrat nuk mjafton vetëm t’i kesh, duhet të punosh për t’i bërë realitet“, janë fjalët e Edion Ademit, nxënës i dalluar i Gjimnazit Natyror „Xhavit Ahmeti“, kurse shumë shpejt edhe student i dalluar i Fakultetit të Mjekësisë. /kryelajmi.com/.





