Gjilan, 31 janar 2018 – Entela Kasi me poezinë e saj “Nëse bota është e egër, Anja…”, ishte fituese e “Penës së Flakës”, aktivitet ky letrar që organizohet në kuadër të Manifestimit shumwkulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”, që mbahet përgjatë muajit janar në Gjilan.
Ndryshe, në hapësirat e Bibliotekës “Fan S. Noli”, ishin dy veprimtari letrare, Ora e Madhe Letrare, ku poetët e përzgjedhur paraprakisht, konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të Manifestimit, “Pena e Flakës” si dhe shpallja e rezultateve të Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër.
Ja edhe poetët që lexuan në “Pena e Flakës”: Alketë Spahiu ( Gjilan ), Anton Nikë Berisha (Prishtinë ), Avni Rudaku ( Gjian ), Dhimitër Pojanaku ( Pogradec ), Entela Kasi ( Tiranë ), Flamur Shala ( Prishtinë ), Gani Neziri ( Gjilan ), Hajredin Kovaçi ( Ulqin ), Ibrahim Kadriu (Prishtinë), Izet Abdyli (Drenas ), Kliton Nesturi ( Tiranë ), Linditë Ramushi- Dushku ( Gjilan ), Nijazi Ramadani ( Gjilan ), Prend Buzhala (Klinë ), Rakela Yzeiri ( Tiranë ),Ramadan Mehmeti ( Prishtinë ), Ramadan Oraça ( Podujevë ), Rozafa Shpuza ( Shkodër ), Sadije Krasniqi (Lipjan), Sarë Gjergji ( Viti ), Sinan Sadiku ( Kamenicë ), Xheladin Rexhepi (Ferizaj ), Zeqir Fazliu ( Gjilan ).
Për dallim nga herët e tjera, vlerësues të poezisë më të mirë, në “Pena e Flakës” 2018, kësaj here ishte paraparë të jenë vetë poetët konkurrues, të cilët me votën e tyre do të përcaktonin poezinë fituese, por që pas votimit doli që dy poete kishin numër të njëjtë votash (Entela Kasi – Tiranë dhe Rakela Yzeiri – Tiranë), andaj sërish është dashtë përcaktimi të bëhet nga juria e grupit punues (Xhevat Latifi, Fatushe Haliti dhe Sabit Rrustemi), që kishte bërë edhe përzgjedhjen e të gjitha poezive për t’u lexuar në këtë orë letrare, dhe vota e tyre përcaktoi edhe fituesen, Entela Kasi.
Ndërsa, kur jemi te rezultatet e konkursit anonim letrar, juria profesionale në përbërje, Ramadan Musliu, Donikë Dabishevci dhe Bardh Frangu, u bë i ditur edhe rezultati:
Anëtarja e Jurisë Donikë Dabishevci, vlerësoi prurjet në kwtë Konkurs dhe bëri të ditur se:
Në poezi:
Shpërblimi i parë i jepet poezisë – Në sheshin e Shkupit – Shifra – Gracka
Shpërblimi i dytë poezisë – Buka, toka, njeriu – Shifra – Hija e shtetit
Shpërblimi i tretë poezisë: Shtëpia e puthjeve – 20-9
Në prozë:
Shpërblimi i parë i jepet tregimit: Figura shtatëmbëdhjetë – Shifra – Shahu i përgjakur
Shpërblimi i dytë: Natë lutjesh – Shifra – Najazum
Shpërblimi i tretë: Mjaltë e hidhur – Shifra – Unë dhe vetvetja
Poezia e shpërblyer dhe të tjerat që u lexuan në Orën e Madhe letrare, bashkë me krijimet e shpërblyera të konkursit letrar, do të publikohen në revistën letrare – kulturore AGMIA.