Gjilan

Fillon punën komisioni për akte normative

Gjilan, 2 shkurt / Sot ka filluar punën komisioni i përhershëm për ndryshime statutare dhe akte tjera normative, i themeluar nga Kuvendi Komunal i Gjilanit. Mbledhja e parë u kryesua nga kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi – Emini, e cila tha se ky është një komision shumë i rëndësishëm dhe kërkoi prej anëtarëve të tij që ta kryejnë punën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke bashkëpunuar me struktura tjera komunale.

Në takimin e parë të këtij komisioni u bë edhe përzgjedhja e kryetarit, post ky që me konsensus të plotë iu besua Arben Mehmeti (LDK), i cili u zotua se do të punojnë bashkërisht me të gjithë anëtarët, për të qenë në shërbim të interesave të qytetarëve të Komunës, të cilat do të jenë pjesë të akteve të ndryshme normative.

Njëra ndër punët e para dhe më të rëndësishme me të cilat do të merret ky komision është statuti i Komunës, meqë nisma e kryetarit të Komunës, për ndryshime dhe plotësime, është miratuar nga Kuvendi Komunal, në seancën e kaluar, ka thënë Arben Mehmeti.

Ndryshimi dhe plotësimi i statutit do të bëhet si nevojë për riorganizimin e ekzekutivit si dhe të shërbimit civil.

Mandati i këtij komisioni është i lidhur me mandatin e Kuvendit Komunal.

You Might Also Like