Gjilan

Fotografi Shaip Dubova kishte parë tmerrin e luftës

Enver Sadiku

 

Tytat e automatikut i kishte mbi kokë dhe sikur sot i kujtohen fjalët e policëve “Majstore nemoj da grešiš” (Mjeshtër mos gabo), kurse Shaip Dubova, fotograf, ishte i detyruar që në studion e tij, të nxjerr në pah tërë marifetin që po e bënin forcat serbe. Kur kishte qenë fëmijë, ai ishte dashuruar në zanatin e fotografit, kur rriti shtat nisi të punojë për të nxjerrë ndonjë dinarë e në moshën e pjekurisë, nisi profesionin e kameramanit në Televzionin e Prishtinës, deri në kohën kur shqiptarët u përzunë nga ky institucion. Në një rast, në Ferizaj, ai kishte xhiruar momentin kur në një shkollë ishte hedhur helmi te nxënësit shqiptarë, xhirimet i dërgoi me autobus në TVP, por ato xhirime nuk u emituan kurrë. Pas largimit nga puna, sërish iu kthye profesionit të fotografit, për të parë vështirësitë e këtij zanati në kohën e luftës. Ai sikurse sot kujton datën e 13 majit 1999, kur në shtëpinë e tij, në orët e hershme të mëngjesit u shfaqën 13 policë të maskuar, që i kërkuan që studion e tij të fotografisë t’a dërgojë në lokalet e MPB-së. Dubova përballej me dilemën, të mundohej të ik e të vë në rrezik jetën e tij, të familjes, fqinjëve e pasurinë, apo të punojë me dhunë për armikun dhe mbeti, për të parë tërë tmerrin që sjell lufta. Shaipit si sot i kujtohet kur is sollën fotot e zhegranëve të vrarë dhe kur u desh të bëjë nga shtatë kopje të fotografive. I kujtohen dhe policët mbi kokë, me tytat e drejtuara dhe me fjalët “mjeshtër mos gabo” që e kishin kuptimin, mos gabo të marrësh ndonjë foto. Fotoreporterët policë serbë vinin çdo ditë, me nga 50 – 60 poza, për të bërë gati 400 fotografi në ditë dhe sillnin pamje jo vetëm nga Gjilani, por edhe nga Suhareka e deri në Dardanë.

“Njerëz të vrarë, të sakatosur, të grirë e të varrosur këto ishin pamjet që sillnin policët serbë. Sillnin pamje që i kishin vrarë vetë, që i kishin vrarë paramilitarët, por edhe të atillë që kishin pësuar nga bombardimet e NATO-s”, thotë fotografi Shaip Dubova, që kujton se kishte njerëz me sopat në dorë, foto gjymtyrësh, foto me pamje të rënda, që me net të tëra e kishin lënë pa gjumë, disa nga të cilat kishte arritur t’i shmang për t’u rënë më pas në dorë ndërkombëtarëve.

Shaip Dubova, thotë se i tërë ky tmerr përfundoi kur në Gjilan u futën forcat e NATO-s dhe kur forcat serbe u larguan bashkë me fotografitë e tyre të tmerrit. Në tërë këtë gjendje, ai kujton një moment interesant, kur forcat serbe kishin dashur t’ia djegin shtëpinë e fqinjit e ky u kishte kërkuar atyre që të mos e bëjnë një gjë të tillë, ngase me djegien e shtëpive do të digjej edhe laboratori për përfundimin e fotografive.

Shaip Dubova edhe sot ushtron zanatin e fotografit, tashti në kushte krejt tjera e fotografitë e tmerrit që i zhvolli ai mbetën vetëm në kujtesën e tij dhe në pronësinë e atyre që ikën nga Kosova.

(Shkrimi ishte realizuar për Gazetën “Zëri” në kohën sa fotografi Shaip Dubova ishte gjallë, ai ka ndërruar jetë më 7 shtator 2021).

kryelajmi.com

You Might Also Like