Futboll

Fusha që i dërgoi te brisku i kirurgëve tre portierë

Shkruan: Enver  Sadiku

Tre portierë, dy të Dritës dhe një i Gjilanit, brenda një periudhe të shkurtër, në të njëjtën fushë të futbollit, përafërsisht në të njëjtin vend, pësuan lëndim përafërsisht të njëjtë.

Faton Maloku (Drita), Florian Smakiqi (Drita) dhe Betim Halimi (Gjilani) është dashur që t’i nënshtrohen operimit.

Rasti Faton  Maloku: Faton Maloku, portier i Dritës në prill të vitit 2023 është dashur të largohet nga loja, pas një vetëlëndimi që kishte pësuar në ndeshjen me Trepçën ’89. Ai gjatë një kërcimi për të kapur topin në brendi të zonës është lënduar rëndë dhe pas ekzaminimeve mjekësore ishte vërtetuar se lëndimi është i rëndë dhe se duhej t’i nënshtrohej një operimi, pasi kishte këputur ligamentin acl. Ai me sukses kishte kryer operacionin në Shkup dhe kishte nisur rikuperimin, fillimisht duke pushuar, pastaj kishte nisur me ushtrime të lehta, pastaj me ushtrime dhe është rikthyer në portën e Dritës në shkurt të vitit 2024 në ndeshjen ndaj Ballkanit.

Rasti Florian Smakiqi: Në ndeshjen me Llapin në shkurt të vitit 2024, Florian Smakiqi kishte pësuar një lëndim dhe pas egzaminimeve më të thella u konstatua që kishte rupturë të hamstringut dhe i është detyruar ndërhyrjes kirurgjike. Smakiqi do të mbetet jashtë fushës për pjesën e mbetur të kampionatit.

Rasti Betim Halimi: Portieri Betim Halimi, u lëndua në duelin e 16 shkurtit 2024 në përballjen kampionale të SC Gjilani ndaj FC Prishtina.  Pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se futbollisti ka këputur ligamentin ACL të gjurit të majtë dhe në këtë mënyrë është i detyruar t’i nënshtrohet operacionit. Më pas ai do të ndjekë rikuperimin fizioterapeutik. Periudha e kthimit në aktivitet do të vlerësohet pas operimit, teksa do të humbasë të gjitha ndeshjet e mbetura të këtij edicioni.

Këto lëndime janë rastësi, apo është në pyetje diç tjetër. Është për çudi që asnjëri nuk u  lëndua në duele, por që të tre patën lëndime të muskujve, apo më mirë të thuhet aterrime në fushë të fortë.

Fushat që nuk janë me barë natyral janë tejet të rrezikshme për  lojtarët, por ato po dalin të jenë  edhe më të rrezikshme për portierët, të cilët e kanë më të vështirë të  mbajnë trupin e ngrohur, derisa edhe trupi i tyre më tepër i nënshtrohet tundjeve, ngase ata shpesh duhet të hedhen kah topi me duart lart ose para, derisa pjesët tjera të trupit mbeten të pambrojtura.

Në futbollin modern, portierët zakonisht janë lojtarët më të gjatë në ekip dhe lojtarët me fizikun më të madh, andaj ata kanë edhe fuqinë më të madhe. Me të  gjitha këto parametra portierët duhet të jenë edhe të shpejtë, eksploziv, me reflekse të shpejta, fleksibilitet, kontroll të trupit, vendosje të mirë dhe me kohë në hapësirë.

Pos këtyre parametrave, një portier i mirë duhet të ketë edhe tipare të tjera si përgjegjësinë, sigurinë, koncentrimin, vendosmërinë, veprimet e duhura me duar, shikimin anësor, leximin e rrugëtimit të topit, ndjenjën për vendosje në gol, aftësinë për të komanduar me mbrojtjen, por edhe shumë elemente të tjera të lojës, andaj si i tillë ai mbetet lojtari më i rëndësishëm në ekip.

Së fundi gjatë përcjellës së një ndeshje në kampionatin Seria A, në ngrohjen para ndeshjes të parët që janë paraqitur në fushë ishin portierët, përafërsisht një orë para ndeshjes bashkë me trajnerë të veçantë që përdornin ushtrime të nduarndurshme për ngrohjen e portierëve, të cilët në kushte të temperaturave të ulta edhe gjatë ndeshjes vazhdimisht bëjnë ushtrime të lehta për t’a mbrojtur trupin të ngrohur. Shtrohet pyetja a përdoren praktika të njëjta edhe tek ne.  A janë pasojë e këtyre lëndimeve trupi i ftohur i portierëve, apo terrenet e forta dhe të papërshtatshme. A është kjo edhe një element shtesë që të rriten kërkesat që ndeshjet të mos zhvillohen në fusha me bar artificial, por edhe që të kërkohet që sa më parë të kërkohet të bëhet stadiumi në Gjilan./kryelajmi.com/.

You Might Also Like