Gjilan, 28 shtator 2018 – Nën organizimin e Institutit GAP, në Gjilan është mbajtur sot konferenca me temen “Zbatimi i MSA’së në nivel komunal”, ku përpos kryetarit Lutfi Haziri, kanë marrë pjesë edhe zyrtarët komunal.
“Po e them në hapje të takimit se Gjilani është shembull në nivel të Kosovës sa i përket bashkëpunimit me shoqërinë civile. Edhe kur jemi pajtuar, e edhe kur s’jemi pajtuar në pika të ndryshme, kryetari i Komunës gjithmonë ka qenë i gatshëm për bashkëpunim”, ka thënë përfaqësuesit i GAP, Bekim Salihu.
Të arriturat më të mëdha të kësaj komune, sipas Salihut, në përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA llogariten të jenë hartimi i buxhetit me pjesëmarrje të qytetarëve, ngritja e kapacitetetev të One Stop Shop, hapja e zyrës së avokatit të popullit, buxhetimi gjinor, zbatimi i të drejtave pronësore, zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve zyrtare etj., ndërkaq si sfidë është thënë se është mungesa e legjislacionit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, reforma e administratës publike, trajnimi stafit përkatës në zbatimin e planit komunal për efiçiencë të energjsië elektrike.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka falënderuar Institutin GAP për monitorimin, bashkëpunimin profesional dhe rekomandimet, duke shtuar se të gjitha sygjerimet dhe gjetjet e GAP do të trajtohen me seriozitetin më të madh sa i përket MSA.
“Por, dua të theksoj se komunikimi ynë me qeverinë sa i përket obligimeve në këtë rrafsh është krejt formal. Nuk ka të bëjë me asnjë plan veprimi dhe me asnjë angazhim tjetër konkret, përpos zyrtarit për integrime që në këtë rrafsh e menaxhon dhe rekomandon bordin e drejtorëve për angazhimet konkrete. Krejt kjo është në vullnetin e kësaj dhe zyrave tjera tona sepse MAPL formalisht e ka një lloj koordinimi dhe një lloj raportimi që ne raportojmë cdo gjashtë muaj”, ka thënë Haziri, duke shtuar se Ministria e Integrimeve Europiane në këtë rast nuk ka ofruar fare bashkëpunim.
Edhe përfaqësuesi i GAP, Bekim Salihu, është pajtuar me konstatimin e Hazirit se Ministria e Integrimeve Europiane e ka shpërfillur këtë proces sa i përket bashkëpunimit me komunat, për të shtuar se megjithatë MAPL ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e MSA.
Ndërkohë, zyrtari për Integrime Europiane në Komunën e Gjilanit, Burim Elezi, pasi e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen, ka deklaruar në këtë konferencë se Komuna është e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA, duke përmendur se ka krijuar qasje fizike në objektet publike për personat me nevoja të veçanta, ofrimin e përkrahjes për OJQ e grupet tjera të interesit, ndërmarrja masave në mbrotjen e të dhënave personale e aspekte të tjera të rëndësishme.
Në konferencë, kanë kontribuar me paraqitjet e tyre edhe drejtorët komunal, Ramiz Ramadani, Bardhyl Syla, Zijadin Maliqi, Valbona Tahiri, Bekim Bajrami e Nazim Gagica, sikur edhe shefat e zyrave të Komunës së Gjilanit.