Gjilani për herë të dytë për një kohë të shkurtër do të jetë arenë evropiane e volejbollit. Këtë të enjte, me fillim në ora 20 do të zhvillohet ndeshja e vlefshme për CEV Cup ndërmjet Dritës së Gjilanit dhe ekipit zviceran Franches Montagnes.
Ndeshja e parë e luajtur një javë më parë është përmbyllur me rezultat 3:0 në të mirë të zviceraneve, kurse gjilanasit ia dolën që në tre sete të marrin 18, 14 dhe 16 pikë. Gjilanaset në mos tjetër, së paku mëtojnë të fitojnë një set në garat ndërkombëtare, ngase as në ndeshjen e Champions League me ekipin bullgar, Maritza Plovdiv, në dy ndeshje nuk ia dolën që të fitojnë asnjë set.
Gjilanaset edhe kësaj here presin që të kenë përkrahjen e shikuesve të tyre të flaktë “Intelektualët”, të cilët priten të jenë të pranishëm në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan.