Futboll

Gjilani siguron Evropën, tregohet i pamëshirshëm ndaj Dritës

Gjilani dhe Drita kanë luajtur ndeshjen derbi në të cilën me një barazim SC Gjilani do të siguronte daljen në Evropë për sivjet, derisa Dritës i duhej vetëm fitorja për të mbetur në garë për titullin e kampionit, shkruan kryelajmi.com.

Pas më tepër se 100 minuta lojë, ndeshja është mbyllur me rezultat të barabartë, rezultat për të cilin festoi Gjilani, derisa lojtarët e Dritës dolën të zhgënjyer, ngase tashti titulli i kampionit duket se është më larg.

Në pjesëlojën e parë, Drita ka qenë ekip shumë më e mirë dhe ka patur më shumë raste dhe ka patur mundësi që të zgjidh shumëçka, por doli të jetë ndryshe.

Rastin e parë të mirë Drita e pati në minutën 16, kur Vitia gjuajti shumë bukur me kokë, por Koliqi ia doli që të prit gjuajtjen e tij. Tre minuta më pas, Ouvuka shpërtheu shumë bukur u fut në brendi dhe shërbeu Blakqorin, por gjuajtja e tij shkoi mbi portë. Megjithatë, pas një mbizotërimi më të madh në fushë, në minutën 32 pas një harkimi të Krasniqit nga gjuajtja e dënimit, Broja qëlloi topin me volej me të parën dhe për mrekulli qëlloi këndin e epërm të djathtë të portës së pambrojtur të Kolqit. Pas gjashtë minutash është kundërpërgjigjur Zeka nga një gjuajtje dënimi, por në vend të rrjetës ai qëlloi transversalen.

Në pjesëlojën e dytë, kryetrajneri i Gjilanit Zekiria Ramadani ndërroi taktikën e lojës, duke luajtur lojë më sulmuese dhe kjo i është shpërblyer. Gjilani mundi të shënojë në minutën 76, kur në brendi Cale bukur e shërbeu Musollin, ky gjuajti në këndin e poshtëm të Smakiqit, por topi për pak shkoi jashtë shtyllës. Dhe kur po luhej minuta 82, pas një sulmi të Gjilanit, Vitia nga pakujdesia preku topin me dorë, u rishikua sistemi VAR për më tepër se dhjetë minuta dhe në fund gjyqtari dha penalti për Gjilanin, të cilën në gol e shndërroi Zeka.

Kur kanë kaluar 90 minuta loja dhe janë dhënë dhjetë minuta shtesë, Gjilani ka patur disa raste të mirë për t’a fituar krejt ndeshjen, por Zeka, Zabërgja e sulmuesit tjerë të Gjilanit nuk ia dolën të mposhtin Smakiqin e Dritës dhe ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 1:1.

Në ndeshjen e radhës Gjilani i shkon Llapit, kurse Drita në shtëpi e pret Malishevën./kryelajmi.com/.

You Might Also Like