Futboll

Gjilani do të kërkojë fitore

Drejtori i klubit futbollistik Gjilani, Sevdai Robelli, ka thënë se klubi i tij do të kërkojë fitore në tavolinë ndaj Prishtinës, në qoftë se ndeshja nuk zhvillohet sot.

Robelli, i kontaktuar nga Insporti lidhur me ndeshjen e shtyrë në mes të Prishtinës e Gjilanit deklaroi se klubi i tij lidhur me këtë nuk ka një njoftim zyrtar, dhe se klubi do të niset për Prishtinë.

“Mua më ka njoftuar Eroll Salihu përmes telefonit para pak minutash, por nuk kemi njoftim me shkrim, për anulim ose shtyrje të ndeshjes”, pohoi Robelli, duke iu referuar bisedës me sekretarin e përgjithshëm të FFK-së.

Ai tha se ekipi do të udhëtojë në Prishtinë, meqë sipas tij, “afati për shtyrje ose anulim të ndeshjes është 48 orë para fillimit të saj, sepse kështu shkruan në rregullore. Ne jemi përgatitur për të udhëtuar, i kemi kontraktuar shtatë autobusa për tifozët tanë, i tërë qyteti po e pret ndeshjen, ne do të shkojmë në Prishtinë e më pas Prishtina dhe Federata le të bëjnë zgjidhje se çfarë do të bëjnë me ndeshjen, apo pse është shtyer”, tha ai.

Robelli po ashtu për Insportin deklaroi se nëse ndeshja përfundimisht nuk zhvillohet, ata do të kërkojnë ta fitojnë ndeshjen me rezultat zyrtar 0-3, për shkak se është përgjegjësi e FC Prishtinës që ta caktojë fushën për ta zhvilluar ndeshjen, dhe t’u përmbahet afateve nëse dëshiron ta shtyjë atë.

You Might Also Like