Gjilan, 04.02.2022 – Kryetari i Gjykatës Themelorë në Gjilan, Ramiz Azizi gjatë një konference për media të mbajtur të premten, ka prezantuar raportin e zgjidhjes së lëndëve për vitin 2021.
Përkundër mungesës së gjyqtarëve dhe stafit civil në disa departamente, ai ka deklaruar se Gjykata së bashku me degët ka zgjidhur mbi 10 mijë lëndë.
“Gjykata Themelore në Gjilan gjatë vitit 2021 ka arritur të kryej 6.636 lëndë, kthyer në përqindje shkalla e efikasitetit është 97 %. Ndërsa si Gjykatë se bashku me degët në Kamenicë, Viti dhe Novobërdë, kemi arritur të zgjidhim 10.279 lëndë”, ka thënë Azizi.
Në Gjykatën Themelore në Gjilan nga viti 2021, në vitin 2022, janë bartur 17.986, mirëpo kryetari Azizi ka premtuar që ky numër do të zvogëlohet gjatë vitit, pasi që situata me pandeminë është duke u përmirësuar dhe nuk do të ketë më ndërprerje të punës apo zvogëlim të stafit.
Ndërkohë, sa i përket lëndëve të natyrës së korrupsionit, ai ka thënë se gjatë vitit 2021 janë zgjidhur 14 lëndë, ndërsa lëndët të kësaj natyre janë të gjitha në punë nga gjyqtarët e departamentit të krimeve të rënda.
I pari i Gjykatës, ka thënë se një prioritet i’u është dhënë edhe zgjidhjes së lëndëve të dhunës në familje, krimit të organizuar, lëndëve me narkotikë dhe grabitjeve.
Gjykata Themelore e Gjilanit çdo ditë e më shumë po punon në rritjen e transparencës me mediat dhe publikun, gjatë vitit 2021 janë publikuar 1.234 aktgjykime në vebfaqen e gjykatës.