Gjilan, 16 gusht 2018 – “Në Llashticë e kemi përfunduar projektin e kanalizimit, që ka qenë projekti kryesor. Pastaj, asfaltimin e rrugëve, renovimin e shkollës, renovimin e shtëpisë së kulturës etj. Ndërkaq, projekti i fundit është ndërtimi i Qendres së Mjekësisë Familjare, të cilën e kemi buxhetuar dhe me propozimin e këshillit të fshatit, do ta përcaktojmë lokacionin për të filluar me punë”.
Kështu ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë vizitës në terren të projekteve infrastrukturore në këtë fshat, të cilin e ka vlerësuar si model sa i përket bashkëpunimit mes këshillit të fshatit, komunitetit dhe Komunës së Gjilanit,
Haziri ka kërkuar nga këshilli i fshatit që së bashku me shoqatën e bashkatdhetarëve të fillojnë t’i mirëmbajnë projekte e investuara.
“Investimet ne tash i bartim te qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë kudo që po angazhohen, po sjellin model të ri, edhe të mirëmbajtjes, edhe menaxhimit edhe të kujdesit. Me pak mjete të tyre, bëhet shumë punë në këtë fshat”, tha ai.
Haziri ka njoftuar në vitin e ardhshëm do të përfundojnë të gjitha projektetet investive në këtë fshat, përfshirë edhe në aspektin e bujqësisë dhe të infrastrukturës, përderisa ka përmendur faktin se toka bujqësore më e punueshme në territorin e komunës së Gjilanit është në Llashticë.
“Është shembulli më i mirë që familjet bujqësore e mbajnë vetveten dhe janë të pavarësuara nga fondet e shtetit. Këta kanë nevojë vetëm për infrastrukturë, duke përfshirë edhe rrugët e arave dhe subvencionet në bujqësi”, ka deklaruar kryetari Haziri.
Kryetari i këshillit të fshatit Llashticë, Ekrem Hasani, e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbshtetjen e madhe në
realizimin e projekteve atje.
“Tash ka mbetë të ndërtohet ambullanta dhe një trotuar. Besoj që shpejt do të realizohen”, tha Hasani.
Pas vizitës së projekteve, kryetari i Gjilanit me bashkëpunëtorët kanë bërë homazhe tek varrezat e martirëve, duke ritheksuar se “Llashtica është Reqaku i Anamoravës”.