Libri

HORË PËR METAFORË

Nëse do të jepej çmimi “Peneli i Flakës”, për dikë që mund të kalojë njëzetekatër orë pa sharë, sigurisht se asnjëherë nuk do të isha fituesi i atij çmimi.
Ikën dritat edhe këtë mbrëmje dhe me fjalë “shpërtheva” dikë nga ata të distribucionit.
Dikur, sikur u ndjeva në faj se mos kjo nëmë e imja me të sharë, po prekte ndonjë nënë të ndonjë të gjori të pafajshëm, andaj edhe pse mu kishte fashitur neuroza e atij momenti kur mu terrua, sërish shava, por tani qetësisht e me delikatesë dhe duke u munduar të jem sa më precizë në adresim. Le të shkojë e shara në vend të duhur mendova, e që kjo pastaj mund të më nxirrte nga distribucioni e të kalonte gjetiu, shembull në komunë, në objektin qeveritar apo në parlament…!
Sidoqoftë, u pajtova me terrin si gjithmonë. Mora frymë thellë, numërova deri në tre dhe u ula në tavolinën e punës, ku nën dritën e qirinjve që kisha ndezur, ia lëshova sytë bardhësisë së letrës që më duhej mbushur shkronja.
Para meje kisha edhe kopjen fizike të materialit të “shkrimtarit”, të cilën më duhej ta piqja për publik!
Isha vonë me pagesën e kësteve dhe kreditoret e bankës nuk duroheshin, e po ashtu filloi
të më bezdiste edhe qiradhënësi, andaj vendosa ta pranoja këtë “punë”, për ta bërë, me zor, Malushin poet!
Ia lëshova sytë materialit që mora në dorë dhe në fare pak vargje të lexuara, mulla e barkut më shpërtheu dhe ma nxjerri me vrull të sharën e radhës: “Dudin e nanës!”.
Largova materialin dhe mora një letër të virgjër. Sa shkrova dy-tre vargje, e grisa se mu dukën vargje koti. Shkrova pastaj edhe pak vargje të tjera në një frymë tjetër, por sërish e grisa letrën, se tani mu dukën, “të tepërta”, për një poet si Malushi, pinjoll i kësaj ane.
Me që heqja dorë nuk më ishte alternativë që më leverdiste, fillova përpjekjet e radhës.
Korrigjoja, shkruaja, rishkruaja, grisja, shaja, kruaja kokën… dhe si të ishin veprime këto të radhitura në rreth, përsëriteshin vazhdimisht, ndonjëherë me ndonjë ndryshim vendi.
Sa herë që merrja frymë ma thellë, më dilte një fishkëllim e lehtë gjatë nxjerrjes së frymëmarrjes, që nuk e di pse, por më tingëllonte gjithnjë si sharje.
Kjo natë si duket do të ikte pa drita, Qirinjtë po treteshin. Sakrificë për mua, apo ndoshta edhe për ecejaket krijuese të Malush poetit!
Vazhdoja lojën e veprimeve në rreth, por tani kisha edhe një spektatore.
Gruaja me këmishë nate, gjysmë të veshur, po pozonte në derë. E kishte gjetur këtë format të ftesës pasi ishte mërzitur e vetme në shtrat, ku ishte shtrirë në mungesë të dritave e në pritje të “rehatuesit”. Hiret e saja po i përdorte për të më eksituar e tërhequr drejt shtratit.
Fliste me trup andaj nuk nxirrte fjalë nga gojë.
Nuk i fola as unë.
Zaten, shpeshherë e luajmë lojën memece, të dialogut pa fjalë, por që kuptohemi shumë mirë dhe me e rëndësishmja, fundi i kësaj loje përherë është i nxehtë!
Sytë e saj të gjallë si të ishte pika e ditës, i folën me heshtje
– Hajde o qyl!
Edhe shikimi im, ndonëse i lodhur, ia ktheu me të shpejtë përgjigjen.
– Ç’do moj grua. Nuk e sheh sa i zënë jam?!
Vështrimi i saj nëpër letra të shumta të grisura në copa më të vogla, e të cilat jo të gjitha kishin përfunduar në koshin pran tavolinës, ia formuluan fjalët e radhës.
– Nuk po të ecë a, nuk po ta do kalemi?!
E lëviza kokën në shenjë pohimi.
Filloi ta kafshonte gishtin e madh, që zakonisht e bënë në prag të humbjes së durimit.
I rrudha krahët për t’i thënë fjalët e radhës.
– Durim pak moj. Nuk e sheh se sa mundësi e mirë më erdhi për t’i shlyer ca borxhe, e pse jo edhe për t’i siguruar pushimet në det?!
– Me do poezi të leshit, edhe borxhet edhe detin do me i nxjerrë, a?! – foli fytyra e saj mosbesuese, por tani me një fjalor të prishur.
– Pse jo. Klienti ka para si mut! – e ndyta gojë edhe unë.
Sërish shikimi i saj u fokusua në letrat përtokë.
– Ncuk, sonte nuk po ta do kalemi, njeri! – ishin titrat e radhës që ia prodhuan kapakët e syve të saj, që hapeshin e mbylleshin me takt dhe ashtu siç kishin ra letrat në tokë, i ra edhe këmisha e saj e natës.
Krejt e eksituar po bëhej insistuese sa më s’ka!
Unë mendjen akoma te poezia, ani pse tani ajo pamje që shihja bëri që të përjetojë ca valë trazuese, që më bëri t’iu hi me gishtërinjtë flokëve të mija të thinjura që prodhonin elektricitet, sa here ndjehesha i sikletosur.
Buzëqeshja e saj e vazhdoi dialogun pa zë, si në filmat e Charlie Chaplin-it duke më ftuar për të provuar diçka tjetër!
– Leje më i dashur, s’po ta do ai kalem, hajde përdore tjetrin! – u transkriptuan fjalët e saja.
Qesha edhe unë, por duke pasur një përgjigje negative edhe për këtë provokim.
Mora një letër tjetër të bardhë në të cilën shkrova shkronjën “Q”.
– Pa pare në xhep, njeriut as nuk i “.ohet”, as nuk i “.ihet”, – iu përgjigja me shaka duke ia ekspozuar dhe letrën, që t’i plotësoja fjalët.
Si duket i plasi filmi. Tani fjalët e saja më erdhën si të thirrjes së fundit që iu bëhet udhëtarëve në aeroporte.
– A po vjen, a po shkon në peshkim me shokë?! – kësaj here nxori zë, duke e prishur lojën memece, për të mu tretur ai trup lakuriq prej bebëzave të syve.
– Ku po shkon?! – ia bëra pyetjen me ngritje vetullash, por pasi veç kishte ikur nga radari i shikimit tim, doli që ia bëra vetvetes.
– Pse ma luajti lojën me çështjen e peshkimit?! – filloi të më mundonte kjo pyetje.
– A është ajo çfarë po mendoj, apo ndoshta ndonjë metaforë e re e saj?!
Me që e solla çështjen e metaforës në mendje, seç mu kujtua tani një ndodhi e dëgjuar ditëve të fundit në selinë e shkrimtarëve.
– Njëherë në një fshat, nuk thuhej se në cilin, por fort besoj se ishte fjala për vendlindjen time, i kishin pas treguar një hudumi se gruaja e tij sapo shkoi me një burrë tjetër në livadhin skaj shtëpisë së tij. Ai, duke e marr këtë si ngacmim për ta vënë në lojë si përherë, kur bënin shaka në llogari të tij, ia ktheu me të qeshur.
– Leje se metaforë?!
Por, përgjigjja i erdhi e shpejtë dhe e prerë.
– Jo metaforë, por me ta…! – nejse ora tani më tregonte, katër e dyzetepesë e mëngjesit, e dritat s’vinin akoma.
Mendja vazhdoi rrugëtimin tutje, për të më ikur te Malush poeti.
Shikova edhe njëherë orën për t’ia rikonfirmuar vetes se sa vonë ishte.
– Malushi s’ka lidhje fare me peshkim! – i thash vetes me një dozë sarkazmi duke nxjerrë nëpër dhëmbë edhe një nënqeshje ironie.
Qirinjtë po më mbaronin. Një zë më erdhi nga dhoma e gjumit.
– O, hajde bre!!!
U mbusha mend. E lash kalemin mbi një letër të bardhë dhe ika në shtrat që të mos bëhem horë për metaforë, në këtë natë pa drita.

You Might Also Like