Bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, morëm pjesë në inaugurimin e fabrikës për prodhimin e plehrave organik “Dhemetra JV”, kompani me dy pronarë vendorë në bashkëinvestim me partnerë nga Turqia dhe Holanda.
Kjo kompani me kapacitete të përpunimit vjetor prej 15.000 ton me vetëm një linjë (me mundësi shtimi edhe një linjë), ka për mision prodhimin e plehrave organike për konsumatorët vendas dhe për eksport dhe zëvendësimin e 5-10% të importeve aktuale të plehrave kimike dhe organike. Dhjetëra punësime, trajnime profesionale për punonjësit, mbrojtje e mjedisit përmes riciklimit të plehut organik si dhe përfitime të drejtpërdrejta për fermerët që do të përdorin plehra organike duke i ndihmuar ata të kursejnë ekonomikisht për shkak të përfitimeve për tokën, mjedisin dhe produktivitetin më të mirë; janë vetëm disa nga përfitimet që do të ketë komuniteti ynë.
Vlerë e shtuar e këtij produkti është përdorimi edhe i mbetjeve të tjera shtazore dhe mundësia e certifikimit të produktit organik (bio) nga organizatat që janë të licencuara për vërtetim, si një nga parakushtet për përdorimin e plehrave organike për rritjen e bimëve.
Jam i lumtur që vendit tonë, e veçanërisht rajonit të Gjilanit po i shtohet një fabrikë e cila do të krijojë bazat për avancimin e mëtutjeshëm të prodhimit bujqësor dhe rritjen e punësimit, duke ndikuar kështu në rritjen e përgjithshme ekonomike.