Riad Rashiti, zyrtar i lartë në degën e PDK-së në Gjilan, subjekt në opozitë, ka derdhur kritika të mëdha në adresë të udhëheqjes komunale, duke thënë se pushteti ka instaluar rrjetn e krimit ekonomik, urbanistik dhe korrupsionit të lartë që e kanë rrënuar jetën normale të insitucioneve komunale dhe të qytetarëve të Gjilanit.
Ish- drejtori për Zhvillim Ekonomik, ka gjetur se drejtësia pjesërisht po e kryen punën dhe detyrat e saja, kundrejt një pushteti komunal skajmërisht të devijuar në anarki, kaos dhe korrupsion.
Qeverisja e LDK-së e kanë bërë qytetin e Gjilanit një mundësi për keqpërdoruesit dhe zhvatësit e milionave eurove, përmes shpërlarjes së parasë dhe krimit urbanistik që po e shkatërrojn hapësirën publike të qytetarëve të Gjilanit.
Aktakuzat e ngritura ndaj zyrtarëve komunalë, drejtorëve komunalë dhe tani ndaj vet kryetarit të komunës, janë dëshmi se qeverisja e Lutfi Hazirit është zhytur thellë në keqpërdorime, shkelje ligjore dhe korrupsion.
Prokuroria Speciale e Kosovës me hetimet e saj që ka bërë ndaj kryetarit të Gjilanit dhe me ngritjen e aktakuzës ndaj tij, ka dëshmuar edhe faktin tjetër se sistemi korruptiv i qeverisjes së Lutfi Hazirit, fatkeqësisht e ka prekur edhe një pjesë të sistemit të drejtësisë në Gjilan, e cila po hesht para kësaj gjendje dhe që është vënë në shërbim të qeverisjes dhe zyrtarëve të korruptuar komunal.
Duhet vlerësuar punën dhe angazhimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me lëndën dhe aktakuzën e ngritur ndaj Lutfi Hazirit, për damin e madh prej 168 mijë euro që ia ka bërë buxhetit komunal dhe qytetarëve të Gjilanit.
Mirëpo në anën tjetër Prokuroria Speciale do të duhej të thellojë dhe vazhdojë edhe më tutje hetimet, në veçanti ndaj disa prokurorve të Gjilanit, të cilët janë ndikuar maksimalisht në punën e tyre nga joshjet e kryetarit të komunës, duke ua punësuar anëtarët e familjarëve të tyre nëpër institucionet komunale, në kompensim për shuarjen dhe mbylljen e hetimeve ndaj kryetarit komunës.
Çdo zyrtar publik, prokurorë, gjykatës sikurse edhe vet Lutfi Haziri si kryetar i komunës, asnjëherë nuk do të mund të ikin përgjithmonë nga përgjegjësia ligjore për veprimet e tyre të bëra në mënyrë të kundërligjshme, apo aferave të ndryshme korruptive, joshjeve të ndryshme apo favorizimeve duke e dëmtuar qytetarin dhe pasurinë publike të Kosovës.
Lutfi Haziri para pak kohe kishte kërkuar publikisht dorëheqjen e ministrit Ferid Agani, kur ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, tani radhën e ka vet Luta që ta bëjë një veprim të tillë, në mënyrë që drejtësia, në këtë rast Gjykata Themelore e Gjilanit ta kryej punën e saj ndaj gjykimit të Lutfi Hazirit, e pa ndikuar nga pozicioni i tij si kryetar i Gjilanit, ka thënë Riad Rashiti, Anëtar i KK Gjilan dhe anëtar i kryesisë së degës së PDK-së në Gjilan.