SPORTI

Klubi i Gjimnastikës “Halil Alidema” meriton më shumë përkrahje

 

Klubi i Gjimnastikës “Halil Alidema” ka bërë emër jo vetëm në Anamoravë, por kudo në Kosovë. Dhjeta talente të reja të këtij sporti tërheqës po ushtrojnë me vullnet të madh nën drejtimin e profesorit Hazir Alidema edhe pse në kushte jo të mira.

Me gjithë këto vështirësi, ky klub ka arritur rezultate të çmueshme, andaj ka bërë emër duke u prezantuar para publikut që ka mbetur i ngazëllyer me akrobacionet e këtyre vashave të reja.

Haziri Alidema, kryetrajner dhe ekipi i vajzave, këtë të premte kanë takuar drejtoreshën për Kulturë, Rini e Sporte në Gjilan, Deniza Limani, para së cilës kanë shpalosur punën e tyre, sukseset, por edhe problemet me të cilat po përballen tash e sa kohë.

Siç ka theksuar Hazir Alidema, nga drejtoresha e re kanë kërkuar që klubi të ndihmohet, sidomos problematike është hapësira e ushtrimeve. Sipas tij, klubi nuk ka ndonjë termin meritor në ndonjë sallë a palestër, ngase duke mos pasur ndonjë termin të veçantë, duhet punuar në Palestrën e Sporteve prapa golave të hendbollit, në një hapësirë shumë të vogël, në kohen kur ushtrojnë edhe hendbollistët apo volejbollistët.

Ai ka thënë se kanë marrë përkrahje nga drejtoresha Deniza Limani, e cila është zotuar se do të bëjë një zgjidhje për këtë klub dhe se do t’i dalë në ndihmë Klubit të Gjimnastikës “Halil Alidema” dhe këtyre vogëlusheve, ngase ato janë përballë me mungesë të palestrës që nga koha e formimit të klubit, gjë e cila ka ndikuar që edhe disa nga vajzat të mos i vijojnë stërvitjet.

Në këtë takim pos gjimnasteve të reja ishin të pranishëm edhe prindërit e tyre, të cilët gjithashtu kanë kërkuar që t’u dilet në ndihmë këtyre talenteve të reja.

E ardhmja e sportit kosovar është tek talentet e rinj, andaj edhe Klubi i Gjimnastikës “Halil Alidema” meriton përkrahje nga shoqëria.

You Might Also Like