Gjilan

KMShK organizoi tryezë diskutimi me gazetarët e Anamoravës

Gjilan – Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), në bashkëpunim me Klubin e Gazetarëve “Beqir Musliu” ka organizuar një tryezë diskutimi me gazetarë të rajonit të Anamoravës, gjatë së cilës u bisedua për problemet me të cilat ballafaqohen mediat online.

Musa Sabedini, kryetar i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” dhe anëtar i Kuvendit të KMShK-së foli për sfidat gjatë punës së përditshme në mediat online në këtë rajon.

Ai theksoi se një ndër problemet kryesore është publikimi i lajmeve të rrejshme nga grupe të caktuara në rrjetet sociale, që po e dëmtojnë gazetarinë e mirëfilltë

Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i KMShK-së foli mbi zhvillimet e fundit në konceptin e vetërregullimit dhe kodin e etikës.

Muhamet Halili nga 2LONLINE.com solli në vëmendje problemet financiare me të cilat përballen mediat në Gjilan, kurse Heset Zymberi nga Gjilani.info foli për rëndësinë e mediave lokale online, në funksion të informimit më të mirë të publikut. Si shqetësim u përmend edhe mosrespektimi i të drejtës autoriale nga mediat.

Kontribut në debat dhanë edhe Enver Sadiku nga Kryelajmi.com e Rexhep Hasani nga Dardanapress.info.

Pjesë e tryezës ishin edhe veteranët e gazetarisë Nexhmedin Ymeri e Xhevat Pira. Aktiviteti u mbështet nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.
(Fotot: Fatlum Kosumi

You Might Also Like