Gjilan

Komuna ka paguar rreth 10 milionë euro borxhe të vjetra nga 14 milionë sa ka lënë qeverisja e kaluar

Qeverisja e mëparshme la një barrë të rëndë financiare për qytetin, me borxhe që arritën në 14 milionë euro gjatë pesë viteve, ndërkohë që ndau vetëm 5 milionë euro për t’i shlyer ato, thotë kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni.

Sipas tij ligji për Shpronësim (Neni 16, Ligji Nr. 03/L-139), obligon komunën që çdo borxh për shpronësime duhet të shlyhet plotësisht brenda dy viteve nga hyrja në fuqi e vendimit.

“Keq menaxhimi dhe mungesa e planifikimit bënë që ndër vite të paguhen miliona euro nga taksat e qytetarëve për shpenzime përmbarimore. Për shumë nga këto toka të shpronësuara, nuk kishte fare projekte”, tha Alban Hyseni

I pari i Gjilanit, theksoi se ndryshe nga kjo, qeverisja aktuale nën drejtimin e tij ka krijuar një model të ri të menaxhimit të taksave dhe parasë publike.

“Me një qasje të përgjegjshme financiare, kemi arritur të kufizojmë borxhet e reja në vetëm 700 mijë euro, ndërsa kemi shlyer rreth 10 milionë euro borxhe të vjetra”, tha Hyseni.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, tha se ky model i ri synon të forcojë transparencën dhe llogaridhënien në përdorimin e fondeve publike, duke garantuar që taksat e qytetarëve të shpenzohen me kujdes dhe përgjegjësi.

You Might Also Like