ARSIMI

Kthimi tek cilësia

Mehmetali Rexhepi,prof

Të dashur nxënës, të çmuar edukatorë!

Një shtatori i sotëm i prin dy shtatorit të nesërm magjik:hapja e portave dhe dyerve të klasave të shkollave nëntë vjeçare, të mesmeve të larta profesionale dhe gjimnazeve… Zërat fëmijërorë e rinorë gjallërojnë dhe zbukurojnë fshatrat dhe qytetin… Uroj për mbarëvajtjen e mësimit në të gjitha nivelet! Në qoftë se arsimimi dhe edukimi njerëzor e kombëtar, dituria dhe shkenca janë themeli i fortë dhe i paluajtshëm i çdo kombi, pse mos të jetë edhe për ne, shqiptarët e shumëvuajtur, të robëruar, të shtypur e të copëtuar, të paragjykuar e të mallkuar, të ndarë e të përçarë?!… Le të jetë arsimi, dituria:caqet tona parësore për zënie ritmesh,sikurse të përparuarit, për rritje të vullnetit për dijen, për shkencën, për kritere të cilësisë, për profesionalizëm, për motivimin e leximit, për të mësuarit kritik… Vetëm mbi këto pikë-qëllime do të jemi krahas popujve dhe organizimeve shtetërore të qëndrueshme. Ndryshe, jashtë këtyre mësymjesh do të na rikthehet robëria, vartësia dhe humbja e identitetit e të shtet-ndërtimit të sapo nisur… Nuk do të na falet mundësia e dhënë pas dy shekujsh për shtet-bërje! Tashmë ngecjet në nivelin tonë arsimor janë të padurueshme dhe të pafalshme! Politikat qeveritare në Kosovë përkitazi arsimit, pothuajse, kanë dështuar! Nuk mund të pohojmë se nuk është bërë asgjë, për sa u përket objekteve shkollore… Janë ndërtuar shkolla të reja, por pa pajisje të mjaftueshme për zbatimin e mësimit praktik, shndërrimit të teorisë në funksion të zbatueshëm për prodhimin dhe riciklimin e prodhimit, për forcimin e kuadrit profesionist, konkurrues për ekonominë e teknologjinë e tregut. Kthesa për motivimin e shkollës e të shkollimit te ne, është domosdoja jonë e sotme, e të gjitha strukturave arsimore, politike, qeveritare dhe mbarë kombëtare. Nesër mund të bëhet vonë! Si ish kuadër arsimor, shtatori më sjell frymëzimin dhe mallëngjimin profesional!

Nxënës, prindër, mësimdhënës e drejtues shkollash: qofshi të bekuar!

You Might Also Like