Gjilan, 5 mars 2025 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka mbajtur të mërkurën seancë solemne për nder të epopesë së UÇK-së, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, përfaqësues tjerë institucional, familjarë të dëshmorëve e përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta.
Kryesuesi Kadriu tha se epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është njëra nga faqet më të lavidshme të historisë sonë, duke thënë se sakrifica e jasharëve është një thirrje e përhershme për të punuar me ndershmëri për të forcuar shtetin.
“Para 27 vitesh, jasharët nuk u dorëzuan përballë një makinerie kriminale, por qëndruan të pathyeshëm për lirinë që ne sot e gëzojmë. Ata nuk luftuan për vetën e tyre, por për Kosovën, për një të ardhme të lirë e të dinjitetshme për brezat që vijnë”, tha Kadriu.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, theksoi se kjo epope e lavdishme nuk është vetëm histori, por dritë udhërrëfuese për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, drejt vlerave të lirisë, unitetit e dinjitetit tonë kombëtar.
“I rrethuar nga forcat serbe, komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjen e tij, nuk u tremb dhe nuk u dorëzua. Për tri ditë e dy netë, ata luftuan me guxim të pashoq, duke mbrojtur pragun e shtëpisë dhe nderin e atdheut me jetën e tyre. Tingujt e atyre të shtënave në Prekaz zgjuan ndërgjegjën e një kombi të tërë, ndërsa flaka e lirisë u ndez në zemrat e mijëra shqiptarëve”, theksoi Hyseni.
Në këtë seancë ka adresuar mesazhin edhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bujar Nevzati, ndërkaq me një kumtesë është paraqitur prof. Blerim Haziri, i cili është edhe asambleist i VV-së.