Komandanti i stacionit Policor në Gjilan Major Agim Lipovica me stafin e tij të lartë, sot ka thirrur në takim pronarët e pikave të karburanteve të Gjilanit.
Në këtë takim, veç tjerash është diskutuar situata e sigurisë, e cila është vlerësuar e qetë në Gjilan, ndërkaq është paraqitur nevoja që të shtohen aktivitetet dhe masat e policisë rreth pikave të karburanteve në Komunë, në kuadër të Planit Operativ” në parandalim të incidenteve kriminale, vjedhjeve të rënda dhe grabitjeve.
Pronarët e pikave të karburanteve kanë mirëpritur takimin dhe janë shprehur të kënaqur me interesimin e policisë dhe janë zotuar se do të shtojnë bashkëpunimin por edhe do të ndërmarrin të gjitha masat në aspektin e sigurisë si alarmet, kamerat e sigurisë sefat e sigurisë etj.
Major Lipovica i ka siguruar pronarët e pikave të karburanteve , se policia është e përkushtuar me masa të shtuara të policisë në terren dhe operacionet e policisë do të zhvillohen në të gjitha zonat e qytetit me theks edhe të pikave të karburanteve.
Në fund të këtij takimi u përcaktuan prioritetet e policisë për ditët në vijim dhe policia do të jetë e pa kompromis ndaj të gjithë atyre që kanë tendenca të prishin rendin dhe qetësinë publike.
Me këtë rast, Komandanti fton qytetarët për bashkëpunim, që për ç’do informacioni që mund të kenë për një rast kriminal, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë “ dhe në numrat kujdestarë : 192 , apo numrit emergjent 112.
Polica e Kosovës është e përkushtuar për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurte për të gjithë.