Futboll

Më 27 korrik KF Kika feston 50- vjetorin e ekzistencës së saj

Klubi “bardh e kaltër” i Kikës nga Hogoshti i Dardanës (Kamenica) do të festojë ditëlindjen e saj të 50-të të shtunën, më 27 korrik në fshatin Hogosht.
Për gjysmë shekulli, shumë talente, intelektualë, patriotë dhe fshatarë kanë dhënë më të mirën e tyre për të mbijetuar ky klub, duke u bërë një sinonim i triumfit dhe krenarisë.
KF Kika ka një traditë të madhe në futbollin e Kosovës, duke qenë në periudha të ndryshme një nga skuadrat më të mira në vend. “Bardhe kaltërit” e Kikës u formuan në vitin 1974 nga aktivistët e fshatit të asaj kohe, duke hapur mundësi që kjo vatër e futbollit të mos ndalet tani për gjysmë shekulli.
Si çdo klub, edhe KF Kika ka pasur ngritje dhe rënie gjatë kësaj periudhe.
Fillimisht ky klub quhej “Kitka”, duke e ndërlidhur me malësinë e Kitkës, ku me dinjitet burrat e kësaj treve kanë mbrojtur kufirin me Serbinë. Ndërsa, në vitin 1999, pas mbarimit të luftës, “Kitka” shndërrohet në KF Kika.
Gjatë aktivitetit 50-vjeçar, sidomos gjatë viteve të 90-ta, KF Kika ka pasur arritjet më të mëdha në historikun e saj.
Në vitin 1992-93, në grupin e Ferizajt, KF Kika ishte kampione, ndërsa në finale ndaj Trepçës kishte pësuar humbje. Po ashtu, në vitin 1994 ishte nënkampione e Kosovës pas Lirisë së Prizrenit.
Me themelimin e Ligës së Parë të Kosovës, KF Kitka në vitin 1995 ishte ndër pozitat e para, duke qenë një nga skuadrat më të forta të asaj kohe në futbollin e Kosovës.
Përgjatë këtyre viteve, KF Kika, edhe pse vinte nga një vend i vogël për futbollin e Kosovës, ka dhënë shumë në të gjitha sferat. Edhe pse në shumë raste ishte pranë shuarjes, Hogoshtasit në momentet e fundit i kanë dhënë jetë kësaj vatre të futbollit.
Të shtunën, më 27 korrik, fshati Hogosht do të ketë festë, pasi do të festohet nga shumë mysafirë të ftuar të gjeneratave të ndryshme: futbollistë, fshatarë, intelektualë dhe punëtorë sportivë për të nderuar këtë emër të madh të futbollit, KF Kika. Si shumë donatorë, futbollistë dhe kryetarë që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të mirën e klubit, vend meritor zë edhe kryetari i tanishëm, Naim Biqkaj, i cili thekson se ky përvjetor është krenari e gjithë atyre që kontribuan.
“Po bëhen gjysmë shekulli që jemi pjesë e këtij klubi i cili na është bërë si pjesë e familjes. Ky përvjetor i KF Kika është një përvjetor i krenarisë, sakrificës dhe mbi të gjitha është një fitore e gjithë banorëve të fshatit Hogosht dhe e gjithë atyre që dhanë më të mirën e tyre për ngjyrat ‘bardh e kaltër’ të KF Kikës. Do të jetë një ceremoni në mes të fshatit, ku i madh e i vogël do t’i gëzohemi këtij gjysmë shekulli,” tha Biqkaj.
Organizatorët e KF Kika më 27 korrik kanë parashikuar një agjendë të pasur me aktivitete të ndryshme sportive. Në këtë ceremoni do të ketë edhe aktivitete për Ditët e Diasporës në Hogosht, duke sjellë së bashku komunitetin dhe duke festuar një trashëgimi të pasur të suksesit dhe dedikimit në sport.

You Might Also Like