Gjilan

Miratohet projekti trevjeçar i banimit social

Gjilan, 28 qershor / Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) ka miratuar të mërkurën Programin komunal trevjeçar për banim social (2018-2020), i cili synon zbutjen e këtij problemi mjaft të ndjeshëm përmes buxhetit të komunës, qeverisë dhe donatorëve. Kryesuesi i kësaj trupe komunale, dr Jashar Jashari e ka mirëpritur programin, duke thënë se asnjëherë nuk është vonë për të bërë punë të mira për qytetarët e aq më tepër për kategoritë që nuk kanë mundësi ta zgjidhin vetë çështjen e banimit.

Opozita (PDK e VV) e ka vlerësuar të vonuar këtë program dhe nuk e kanë votuar atë.

Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, i cili e ka prezantuar projektin ideor, ka theksuar se pa një program të këtillë, nuk mund të kërkohen mjete për nevoja të banimit social, as nga qeveria dhe as nga donatorët, të cilët janë dy faktorë shumë të rëndësishëm në zbutjen apo zgjidhjen e këtij problemi.

Projekti parasheh që në tri vitet e ardhshme të ndihmohen 90 familje të pastrehë, përmes ndërtimit individual, banimit kolektiv dhe bonusit në pagesën e qirasë. Shpresohet që shumë shpejt të ndryshohet edhe ligji për banim social, i cili tani për tani nuk lejon investime në pronën private.

Përndryshe, në dy-tri vitet e fundit, Komuna e këtushme ka arritur të ndërtojë mbi 50 shtëpi të reja për qytetarët që nuk e kishin të zgjidhur strehimin, mbi 40 të tjera i ka rinovuar, ndërkohë që një pjese tjetër ua ka kompensuar qiranë e banimit. Megjithatë, nevojat për banim social, mbeten të mëdha dhe aktualisht janë të evidentuara 573 raste, ka thënë Hajrullahu.

“Do të mundohemi të jemi afër këtyre familjeve, për t`i ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së banimit në një periudhë të caktuar”, ka thënë Hajrullahu, duke nënvizuar se Komuna nuk mund t`ia dalë e vetme këtij problemi, për të cilin nevojiten mbi 5 milionë euro.

Mirvete Kurteshi (VV) e ka vlerësuar të vonuar projektin, duke thënë se punët e mira duhet të nisin në fillim të mandatit të një qeverisje dhe jo në fund të tij. Edhe Fatbardha Selmani (PDK), që po ashtu e ka quajtur të vonuar projektin, ka thënë se dokumenti nuk është i detajizuar sa i përket pjesës buxhetore, sikurse i mungojnë dhe specifika të tjera, të cilat do ta bënin atë më të qartë. Agron Leka (PDK) ka thënë se do të ishte mirë që projektet e tilla të garantohen nga

buxheti i shtetit dhe jo të bazohen te donatorët, të cilët, nëse është e nevojshme, mund të jenë vetëm faktorë ndihmës në realizimin e këtij programi.

Ndërkaq përfaqësuesit e LDK, AAK e PD i dhanë përkrahje projektit trevjeçar të Komunës së Gjilanit për zgjidhjen e problemit të banimit social.

Nexhat Halili (LDK) tha se është një plan mjaft i mirë dhe kërkoi të favorizohet ndërtimi individual, si mënyrë më e përshtatshme për zgjidhjen e banimit social. Për më tepër, ai tha se projekti është trevjeçar dhe nuk mund të quhet i vonuar. Veton Uka (AAK) ka thënë se është bërë një punë e mirë, e cila është bazë për fillimin e zgjidhjes së këtij problemi, duke sugjeruar që në kuadër të banimit kolektiv social, të parashihen edhe zyrat për shërbime mjekësore. Kurse Selvete Shurdhani (PD) ka thënë se nuk është e rëndësishme se cila qeverisje e zgjidh këtë problem, por e rëndësishme është që ai të zgjidhet, duke e vlerësuar të qëlluar projektin, pavarësisht se mund të jetë pak i vonuar.

You Might Also Like