Bujar Salihu
Ty të mbaj mend
Të vogël sa unë pesëvjeç
Nëna thoshte ke mbirë nga toka
Unë besoja
Ke pikur nga qielli
Në një ditë me shi
U rrite shumë
E unë mbeta i vogli yt
Nën hijen tënde lazdrohesha si dre
Degët e tua
Më ruanin nga syri i keq
Nga ëndrrat e liga…
Te rrënjët të buronte uji i ftohtë
Me etjen e parë të pranverës
E pija me lulet e tua të bardha në sy
Pastaj ika
Vite më vonë pikëllimi
Më thanë se ishe tharë
Nga mërzia.
Tani,
sa herë kaloj atypari,
hija jote më ledhaton ballin.





