ARSIMI

“Mos! Nuk jam pronë!”, projekt i realizuar nga profesoresha Blerta Hyseni në bashkëpunim më nxënësit e Shkollës Fillore “Thimi Mitko”

Kështu është titulluar videoprojekti i organizuar dhe realizuar nga profesoresha: Blerta Hyseni në bashkëpunim me nxënësit e shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan.

Pasojat kryesore që po sjellin përshkallëzim të dhunës janë disa faktorë që duhen evidentuar: mungesa e edukimit, mungesa e politikave sociale të vërteta, mungesa e emancipimit kulturor të mënyrës së të sjellurit dhe organizimit funksional të familjes mbi bazën e vlerave me të drejta të barabarta gjinore. E gjithë kjo mund të shpjegohet në variante të ndryshme; duke pohuar edhe faktin që ne shqiptarët jemi popull i varfër dhe nuk ka ekzistuar disponimi për tu marrur në konsideratë iniciativa për trajtimin e temave të tilla në planin teorik dhe pragmatik. Gjitha këto elemente janë të ndërlidhura njëra me tjetrën dhe na dërgojnë në këtë situatë dhe gjendje që ne po e përjetojmë sot.

Dhuna ndaj gruas ende është e pranishme, në një numër të konsiderueshëm të rasteve, si një fenomen që prodhon pasoja të dëmshme sociale dhe vrima të mëdha regresive. Kjo sjellë edhe shumë pasoja psikologjike te fëmijët, si: ngecja në mësim, deformime në krijimin e personalitetit, kriza mendore/psikologjike të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme të cilat manifestohen në sjellje me fëmijët e tjerë si dhe krijimi i komplekseve që i përcjellin gjatë gjithë jetës.

Dhuna ndaj gruas është bërë shqetësim për shoqërinë kosovare, një temë tejet aktuale dhe barrë e rëndë morale për rastet e shumta që i dëgjojmë në mënyrë të ndryshme nga njerëzit kompetent që merren me këtë fenomen apo njerëzit e thjeshtë që shpalosin histori të ndryshme të këtij formati, ku flasin për dhunën që e përjetojnë çdo ditë duke mos pasur shpëtim dhe zgjidhje për jetën e tyre.

Dhuna ndaj gruas është një nga fenomenet më të rënda dhe më shqetësuese me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare. Mekanizmat që e luftojnë këtë dukuri shpeshherë nuk janë aq produktive dhe efikase në praktikë për krijimin e një realiteti më të sigurtë dhe më premtues për mbështetjen ndaj këtyre rasteve. Dhuna ndaj gruas është e përhapur kudo e ushtruar si dhunë fizike dhe psikologjike.
Kryesisht gruaja dhunohet në mënyrë mizore e çnjerëzore edhe atë nga njerëzit e afërt, për motive të dobëta dhe shpeshherë krejtësisht banale.
Të vritet një grua nuk ishte dhe as nuk është ndonjë virtyt trimërie, por forma më e ulët e ligështisë dhe reagimit human.
Në shoqërinë tonë gruaja është fajtore nëse ajo: vendosë kufinjë, thotë jo, zgjedhë vetën, flet, thotë të vërtetën, shkollohet dhe bëhet faktor i rëndësishëm jetësor.

Mendoj se problematika e shoqërisë në Kosovë ndodhet te zbatimi i ligjeve dhe aplikimi i mekanizmave adekuat dhe jo te ligjet. Ligjet janë jashtëzakonisht shumë të mira, racionale dhe efikase në parandalimin e këtij fenomeni, por ato duhen të zbatohen dhe duhen përshtatur me mentalitetin e shoqërisë kosovare.

Më vjen shumë keq që jemi një shoqëri aq maskiliste që nuk jemi mësuar ta shohim gruan kaq luftarake dhe të barabartë, por jemi mësuar ta shohim kokulur, t’i bëjë punët e shtëpisë, t’i mbajë fëmijët, t’i rrisë fëmijët, të kujdeset për burrin dhe nëse ajo bënë diçka përtej kësaj ajo nuk është e duhura dhe ajo nuk po bënë atë që duhet bërë.

Dhuna është problem kryesor që na ka drejtuar të dëgjojmë emra të grave të vrara në kronikat e zeza.

Një grua e fortë mund t’i bëjë të gjitha dhe duhet t’i bëjë të gjitha, duhet të jetë e pavarur dhe mos ta ndalojë askush që do t’i dali përpara.
Arsimimi dhe edukimi janë mënyra më e mirë e tejkalimit dhe evitimit të këtij problemi dhe forma më e mirë për ta shpalosur vetën një femër. Ne duhet të integrohemi dhe të punojmë në këto drejtime, duke qenë të hapur ndaj vlerave dhe modeleve europiane për krijimin e një shoqërie funksionale dhe të shëndoshë.
“Gratë intelegjente i marrin vendimet vetë, kanë dëshirat e tyre dhe vendosin kufinjë”./Radio Star/

Linku

You Might Also Like