Arti pamor

Muhamed Aliu fitues i Çmimit Blerës të Galerisë në “Peneli i Flakës 2019”



Gjilan, 17 janar  2019 – Në Galerinë e Arteve në Gjilan është hapur sonte ekspozita e arteve pamore “Peneli i Flakës”, si njëra ndër katër shtyllat themelore të manifestimit “Flaka e Janarit 2019”, ku janë ekspozuar punime të krijuesve të ndryshëm, në pikturë, skulpturë, vizatim, grafikë…, ndërsa është ndarë edhe Çmimi Blerës i Galerisë, i cili i ka takuar skulptorit, Muhamed Aliu.Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në hapjen e kësaj ekspozite ka falënderuar artistët pjesëmarrës, si dhe komisionin vlerësues, për të shtuar se kjo ekspozitë, përkatësisht arti pamor është ndër shtyllat kryesore të “Flakës…”, ndërsa duke u ndërlidhur me tematikat e punimeve që trajtonin tema të ndryshme, duke përfshirë edhe ato me elemente kombëtare shqiptare, Haziri ka përmendur ngjyrën e kuqe që është përdorur në shumë punime të kësaj ekspozite, duke e ndërlidhur këtë fakt, me ngjyrën e gjakut të dëshmorëve,

“Kjo mbrëmje është e veçantë sepse shënon jo vetëm hapjen e ekspozitës, por edhe dhënien e çmimeve fituese në artin pamor nga ana e jurisë profesionale. Pres që së paku piktura fituese të ketë ngjyrën e kuqe dominuese sepse të gjitha punimet fituese që i ka në komunë,  15 nga 28 sosh. Pres që edhe kësaj here e kuqja të jetë dominuese, sepse  është ngjyrë e gjakut të dëshmorëve, të atyre njerëzve që kanë ditë se si luftohet për liri dhe na kanë lënë neve këtë paqe dhe këtë liri, të cilën duhet ta ruajmë dhe ta ndërtojmë bashkarisht”, ka thënë Haziri.I pari i komunës ka falënderuar të gjithë artistët, profesorët dhe njerëzit që për këto 28 vjet nuk janë ndarë nga “Flaka..”,  që kanë dhënë kontributin për këtë manifestim në çdo periudhë, ndërsa duke uruar fituesit e “Penelit…” të këtij viti, Haziri ka ftuar qytetarët që të vijnë ta vizitojnë këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31 janar.

Njëri nga përgjegjësit për artin pamor, në kuadër të “Flakës…”, Avni Behluli, ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit për mbështetjen e këtij organizimi, ndërsa ka bërë me dije se përveç Çmimit Blerës të Galerisë, që i ka takuar Muhamed Aliut, juria profesionale në përbërje: Sami Shabani, skulptor, Magbule Xhemaili, piktore dhe Gëzim Brestovci, dizajner, kanë ndarë edhe tri çmime që iu kanë takuar: Musa Prelvukaj për vizatim, Saranda Kika për pikturë dhe Butrint Morina për skulpturë.

You Might Also Like