Në Gjilan, këtë të mërkurë është hapur shkolla suedeze e IT-së, ngjarje kjo në të cilën ka marrë pjesë edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni. Në ceremoninë e hapjes, i pari i komunës së Gjilanit ka theksuar se kjo është një kaptinë e re dhe ofertim i ri dhe se përkujdesja e komunës nuk do të mungojë. Ai tha se komuna e Gjilanit i ka partnerë profesorët e UKZ-së, komuna ka ndarë mjete për programet e IT-së dhe e do t’i përkrahin bizneset e reja. “T’i marrim aftësitë e t’i shfrytëzojmë në praktikë”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.
Lindita Nebihu – Hyseni, profesoreshë në departamentin e FSHK-së në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ka paraqitur një prezantim nga përvoja e saj me studentë dhe në universitetin ku ajo punon, prezantim të cilin e kishte paraqitur edhe jashtë vendit e ku në të cilin ka paraqitur të dhënë për përfshirjen e femrës në këtë universitet, numrin e të diplomuarve sipas gjinive, mandej gjendjen në UKZ, se si kanë arritur dhe ku janë punësuar ata që kryen studimet në FSHK e shumë të dhëna me interes.
Arianit Fazliu, drejtor menaxherial i beetroot në Kosovë, ka thekuar se Komuna e Gjilanit është e para ku po hapet dega e beetroot dhe pritet që një gjë e tillë të ndodhë edhe në pesë komuna të tjera. Ai ka thekuar se vitin e kaluar kanë dhënë 17 bursa dhe krejt ky angazhim ka për qëllim trajnimin e gjeneratave të reja sipas kurikulës suedeze të IT-së.
Faton Selishta, bashkëthemelues ka thënë se nëpër dyert e beetroot kanë kaluar mbi 200 studentë dhe mbi 80 përqind e tyre tashmë janë të punësuar.
“Përvojën e Prishtinës do ta bartim edhe në Gjilan e më pas edhe në pesë komuna të tjera të Kosovës. Kjo është një mundësi shumë e mirë për t’u kyçur në punë e në jetë”, ka thënë Selishta, sipas të cilit Beetroot Academy ofron kurse të ndryshme, kryesisht në trendët e fundit.
Në debatin e organizuar, kryetari i Gjilanit ka shprehur brengën e largimit të të rinjve dhe ka thënë se puna në sektorin e IT-së është një mundësi e mirë për të rinjtë, andaj komuna e Gjilanit do të mundohet që të përkrah nisma të tilla, qoftë me dhënien e zyrave për një vit pa pagesë, nëpërmjet subvencionimit apo edhe në forma të tjera. “Në Gjilan, të rinjtë janë të mirë, punëtor e të interesuar”, ka thënë Hyseni.
Ndryshe, Beetroot Academy është shkollë profesionale Suedeze-Ukrainase e IT-së e cila po hap dyert edhe në Gjilan. Kjo shkollë ofron kurse profesionale për të gjithë ata që duan të zhvillojnë një karrierë në këtë fushë. Ceremonia zyrtare e hapjes së Beetroot Academy në Gjilan do të mbahet me datë 10 maj (të mërkurën) prej orës 11:00 në Amfiteatrin e Shtëpisë së Rinisë/Socal Hub Gjilan. E pasur me një kurrikulë ndërkombëtare të unifikuar me akademinë partnere ne Suedi, dhe me storie të shumta suksesi në Suedi, Ukrainë, Rumani e Moldavi ku së shpejti pritet zgjerimi edhe në vendet tjera si Gjeorgji e Bullgari, Beetroot Academy ka dëshmuar bindshëm suksesin e saj edhe në Prishtinë, ku gjendet tash e tri vite. Misioni i Beetroot Academy në Kosovë është konkretizuar në fokusin e veçantë te kurrikula dhe programi mësimor. Kjo kurrikulë është dëshmuar si një ndër kurrikulat më të suksesshme në këtë fushë, me 70% të të diplomuarve të punësuar, në periudhë kohore prej 6 muaj pas diplomimit.
Programet që kjo shkollë ofron janë të përpiluara me kujdes nga ekspertë të fushës të cilët si synim kanë përshtatjen ndaj kërkesave të vazhdueshme në tregun e punës. Kërkesa në treg për profesionin e IT-së është aq e madhe saqë e vështirëson plotësimin e vendeve të punës me njerëz profesionistë. Duke e ditur këtë nevojë të tregut dhe faktin se kompanitë e ndryshme në Kosovë vetëm sa po i rrisin kërkesat e tyre për punëtorë, Beetroot Academy ofron mundësi të reja që të rinjtë të punësohen dhe të zhvillojnë profesionet e tyre, prandaj studentët e suksesshëm pas trajnimit do të kenë mundësi për punë praktike në kompani të ndryshme në sektorin e IT-së si në Kosovë, ashtu edhe në kompanitë e vendeve të tjera në Evropë e Amerikë. Kurset që fillimisht ofrohen në Beetroot Academy në Gjilan janë:
Front-End Development
Advanced JavaScript
Node.js
Të gjitha kurset janë të strukturuara përmes sistemit LMS (Learning Management System) ku të gjithë studentët kanë qasje në materialet e kursit, videot, testet, burimet, etj. Regjistrohu tani dhe testo njohuritë e tua ne fushën e IT-Së online në https://xk.beetroot.academy/