Gjilan

Në Pogragjë, në shtëpinë e Ymer Latifit u zbulua pllaka “Shtëpi bazë e UÇPMB-së”

 

Në fshatin Pogragjë të Gjilanit, në shtëpinë e Ymer Latifit, është vënë pllaka shtëpi bazë e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB).

Në një manifestim të organizuar me këtë rast, Shaqir Shaqiri, ish-zëdhënës politik i UÇPMB-së, ka thënë se gjatë luftës së UÇk-së, kjo shtëpi ka shërbyer për aktivitete të ndryshme, kurse edhe gjatë luftës në Luginë të Preshevës, kjo shtëpi ka shërbyer për shumë aspekte të luftës e më së tepërmi për veprimtari logjistike të UÇPMB-së.

“Sot po e vëmë një pllakë me të cilën po e etiketojmë një shtëpi si bazë e logjistikës së UÇPMB-së, pra sot shtëpia e intelektualit Ymer Latifi, po nderohet si “Shtëpia Bazë e UÇPMB-së”, me qëllim që gjithmonë të përkujtohet si një shtëpi bazë e veprimtarisë logjistike dhe ushtarake që ishte vënë në shërbim të ushtarëve të lirisë. Kjo shtëpi para se të bëhet bazë e UÇPMB-së, dikur ishte vënë në shërbim edhe të luftës së UÇK-së. Për shkak të situatës së krijuar në Luginën e Preshevës dhe luftës që filloi për çlirimin e asaj Kosove të paçliruar, kjo shtëpi shumë shpejtë mori edhe misionin  tjetër kombëtar, u shndërruar në vendtakim dhe strehë për ushtarët e lirisë, u shndërruar në pikë orientimi dhe bazë e armatimit për UÇPMB-në”, ka thënë Shqiri, që ka shtuar se ish- Shtabi i Përgjithshëm i UÇPMB-së,  dhe komandanti i saj, Shefket Musliu, morën vendimin e duhur, që në këtë shtëpi të vënë pllakën “Shtëpia Bazë e UÇPMB-së”, me qëllim të bartjes së kujtimit te gjeneratat që na pasojnë, për luftën e UÇPMB-së, peripecitë dhe sakrificën që e bënë ushtarët e lirisë, mbështetjen që populli i dha asaj lufte dhe për amanetin që duhet përfunduar.

Në emër të familjes Latifi, fjalën e mori Shkëlqim Latifi, i cili ka falënderuar të gjithë të pranishmit që morën pjesë në këtë ditë të shënuar për këtë familje që është respektuar me vendosjen e kësaj pllake përkujtuese e kontributit të dhënë.

“Dua ta ndajë gëzimin dhe krenarinë që ne si familje, sot po e përjetojmë me vendosjen e kësaj pllake që shërben për kujtim për brezat e ardhme”, ka thënë ai.

Pllakën e kanë zbuluar Nazmi Hajredini, kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇPMB-së. Ish ushtarja Shadije Latifi  dhe Faik Jonuzi, baba i dëshmorit të kombit, Sherif Jonuzi, ushtarit të UÇPMB-së.

 

You Might Also Like