SPORTI

Nehat Nuhiu, dy dekada gazetari sportive

Askush nuk mbledh më shumë adhurues se sa sporti. Sa e sa ngjarje sportive kanë lënë gjurmë në histori, sa lot gëzimi e dëshpërimi janë derdhur nëpër gara të ndryshme sportive, kurse të gjitha këto emocione askush nuk ka mundur më mirë t’i bartë se sa reporterët sportiv. Sot, nëpër televizione emisionet më të shikuara janë ato sportive, nëpër gazeta e portale asgjë nuk lexohet më shumë se sa sporti, radiotransmetimet edhe më tej mbeten emisione të dëgjuara, kurse krejt këtyre shije të veçantë u japin reporterët sportivë me shkathtësitë e tyre.

Reporterët sportivë janë pjesë e pashmangshme e përditshmërisë sonë. Zërat e tyre kumbojnë në veshët tanë, si pjesë përbërëse e çdo zhvillimi sportiv. Përgatitja profesionale e tyre shikuesin e ndihmon që më lehtë të kuptojë se çfarë po ndodhë në arenën sportive. Dija e tyre na ndihmon që të marrim sa më shumë informata për ngjarjen sportive që e shikojmë.

Në historinë e saj, Kosova ka pasur shumë reporterë sportivë, emrat e të cilëve do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë e tashti, kur mediumet janë shndërruar në një industri, është shtuar edhe numri i reporterëve e gazetarëve sportivë.

Një njeri që gjithmonë i mbeti besnik  raportimit të ngjarjeve sportive pa dyshim se mbetet gazetari Nehat Nuhiu. Karrierën e kishte nisur si reporter e redaktor sporti në radio, medium të cilit nuk i është ndarë as tashti, kur kanë kaluar mbi një dekadë e gjysmë.

Pas lufte, në Gjilan po emitonin programet e tyre njëra pas tjetrës shumë radiostacione e Nehat Nuhiu, që gazetarinë sportive e kishte në zemër, nisi të ushtrojë talentin e tij në Radio Victoria, ku kishte punuar deri në vitin 2000.

Nuk shkoi shumë kohë, kurse edhe televizionet nisën të shfaqin programet e tyre, Nehat Nuhiu, nisi komentimin sportiv në TV Men, deri në vitin 2003, për të kaluar për një kohë të shkurtër në RTV 21 e për t’iu rikthyer dashurisë së tij të parë, komentimit në radio, pikërisht në Radio Kosovë, medium në të cilin raporton edhe tashti.

Në nënqiellin tonë, nisën të shfaqen edhe televizione që kryekëput merren me sportin, kurse ato nuk mund të paramendohen pa reporterët sportivë e Nehat Nuhiu është ai i duhuri, kështu që nga shtatori i vitit 2016 u bë pjesë e SuperSport Kosova, ku ka komentuar mbi 100 ndeshje nga të gjitha ligat Evropiane.

“Marrë në tërësi gati dy dekada pune në gazetari sportive, kam sajuar, raportuar dhe komentuar mbi 2000 emisione”, thotë Nehat Nuhiu, të cilin në këtë profesion e kishte futur dashuria që ka për sportin e më pak të mirat materiale që i sjell të qenit gazetar sportiv tek ne.

Për punën  e tij Nehat Nuhiu, tri herë ishte shpërblyer me çmimin gazetar i vitit në Gjilan, kurse klube e asociacione sportive e kanë nderuar me shumë mirënjohje e lëvdata.

Në fushat e palestrat tona vazhdon të rrokulliset topi, gëzimet për fitoret e dëshpërimi për humbje mbetën në mendjen e zemrat e tifozërisë e Nehat Nihiu mbetet pjesë e pandashme e këtyre zhvillimeve.

Emocione që sjell reporteri Nehat Nuhiu nga një ndeshje futbolli

https://www.facebook.com/kryelajmi/?notif_id=1509541236152984&notif_t=page_invite_accepted

You Might Also Like