Shkrimi dhe fotot: Agim Kajtazi
Pas nëntë ditësh solo shtegtimi të përditshëm nëpër Majat e Ballkanit, mbrëmë u ktheva aty ku nisi gjithçka, në Kuqishtë të Bjeshkëve të Rugovës, duke e përfunduar kështu këtë ekspeditë, të menduar prej kohësh.
Kur futesh në një shteg qindra kilometrash, në zemër të Bjeshkëve të Nemuna, ecja pushon së qeni qëllimi i vetëm. Ajo mvishet me dëshirën e madhe për ta njohur këtë bjeshkë, madhështinë e saj, si dhe njerëzit që i japin frymë kësaj zone, e të cilët i has kudo përbri shtegut. Diku në një stan e diku në një bujtinë. Gjithmonë me dyer të hapura, duke të mirëpritur e të ndihmuar me gjithçka që kanë.

Nga ana tjetër, vetë bjeshka të mahnit që në hapat e parë. Gjithandej të shfaqen pamje që, përtej ashpërsisë së tyre natyrore, shpërfaqin djepin e një kulture që ka mbijetuar dhe ka bashkëjetuar me këto male për shekuj me radhë.
Një përvojë e paharrueshme që të ndryshon brenda.



