ARSIMI

Njihuni me mësimdhënësin më të dalluar në Gjilan për vitin 2018

 

Naser Aliu, profesor i biologjisë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është laureat i sivjetmë i titullit mësimdhënësi më i mirë në komunën e Gjilanit, i cili tradicionalisht ndahet për nder të 7 marsit, ditës së mësuesit.

Aliu, i cili me ditar në dorë punën që nga viti 1992, kishte nisur të ligjëroj lëndën e biologjisë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, duke u dëshmuar në punën e tij edhe në kohë të vështira, nën kushte okupimi, por gjithnjë i përkushtuar që të begatojë me dije nxënësit, të cilëve u dha mësim. Ai asnjëherë nuk iu nda këtij profesioni e për punën që bëri ai në një mandat ishte zgjedhur zëvendësdrejtor shkolle, kurse me ndarjen e gjimnazit në dy objekte, ai ka vazhduar të punojë profesor i biologjisë, tashti në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”. Në vitin 2010, ai ka marrë titullin magjistër i shkencave të biologjisë, kurse është pjesëmarrës në shumë trajnime si Edukator për tuberkuloz, trajnim në “Mendimi kritik gjatë leximit dhe shkrimit, Planifikimi zhvillimor i shkollës, Strategjitë e reja në mësimdhënie dhe mësimnxënie në lëndën e Biologjisë, Trajnimi për Kurikulen e re MASHT,  Certifikatë për trajnimin”Zhvillimi shkathtësive të mësimdhënies për pilotimin e Kurrikules së re e trajnime të tjera.

Ai kujton kohën kur mësimi mbahej në shtëpi – shkolla, nëpër lokale e jashtë objektit shkollor, ngase arsimin shqip e pengonin serbët me pushtetin totalitar të tyre.

“Gjatë viteve 1992-1999 (para lufte) kemi mbajt mësim nëpër lokale të ndryshme jashtë shkoll,  me shumë vështirësi, presione, dhunë, përbuzje e shumë çka tjetër nga regjimi serb i kohës. Me angazhimin e gjithë kolegëve, prindërve, popullatës, nxënësve, ia kemi dal mos mu ndal në rrugëtimin tonë – arsimimi dhe edukimi i brezave të rinj në gjuhën amtare-shqipe. Kjo ka qenë periudhë shumë e vështirë, por e kemi përballuar bashkërisht me vetësakrificë të pashoqe”, kujton ato kohë të vështira mësimdhënësi Naser Aliu, që shton se pas luftës së lavdishme nxënësit e mësimdhënësit shqiptarë janë  kthyer në objektet e tyre  shkollore dhe kanë vazhduar punën për të arritur deri në ditët e sotme.

“Kemi ecë përpara edhe ne, edhe nxënësit. Nga ato vite të vështira nga shtëpitë shkolla kanë dal nga ne kuadro si mjekë, inxhinierë., profesorë, juristë , ekonomistë dhe shumë profile tjera. Por edhe ne jemi avancuar përmes kualifikimit postdiplomik (2010- mr.sc.) si dhe trajnimet e vazhdueshme në karrierë. Gjatë viteve 2004-2007 kam qenë në pozitën e zëvendësdrejtorit të gjimnazit ,,Zenel Hajdini” në Gjilan”, thotë profesori Naser Aliu, i cili më shumë se postin e udhëheqësit ka pëlqyer të qenit mësimdhënës dhe sërish i është kthyer punës me nxënës në klasë.

Tashti, shkolla jonë po rritet e po zhvillohet dhe Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në dhjetorin e vitit të kaluar është pajisur me mjete dhe pajisje për laboratorin e biologjisë dhe kimisë,  ku tani ne realizojmë ushtrime laboratorike. Kjo është arritur falë angazhimit të drejtorit të shkollës Bekim Mustafës në bashkëpunim me DKA dhe komunën. Tani në shkollën tonë bëhet një punë cilësore dhe me nxënës ambicioz kemi arritur rezultate të shkëlqyera si në gara komunale- vendi i parë në garat nga biologjia (2016).

Duke u bazuar në rezultatet e arritura në procesin edukativo-arsimor këtë vit për ditën e mësuesit, 7 Mars,  menaxhmenti i shkollës magjistrin e biologjisë Naser Aliu, me të drejtë e ka zgjedhur si punëtorin më të dalluar të shkollës. Pastaj po ashtu nga DKA-ja ai është zgjedhur si punëtori më i dalluar nga të gjitha shkollat në komunën e Gjilanit.

Pikërisht kështu që më 7 Mars 2018 në lokalet e MASHT-it në Prishtinë, ai ka pranuar mirënjohjen e mësuesit të dalluar të ndarë nga MASHT-i.

“ Kjo mirënjohje më obligon e dhe më tepër që në të ardhmen t’i përkushtohem ,,zanatit’’ të shenjtë- mësuesisë për edukimin e brezave të rinj”, thotë profesori Naser Aliu.

Drejtoria e shkollës, nxënësit e mësimdhënësit, por edhe prindërit kanë vetëm fjalë miradije për mësimdhënësin mantelbardhë Naser Aliu, i cili pjesën më të madhe të orëve me nxënësit e tij e zhvillon në kabinetin e biologjisë.

You Might Also Like