ARSIMI

Nxënësi i gjimnazit Besnik Haziri do ta përfaqësojë Kosovën në garat e matematikës në Australi, ai nderohet nga shkolla e tij

Nxënësi Besnik Haziri për suksesin e treguar në garat e matematikës nderohet me mirënjohje dhe me një tablet të llojit Vivax

Nxënësi i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, Besnik Haziri, i cili është ranguar ndër më të mirët në garat e Matematikës TST 2025,  do t’a përfaqësojë Kosovën në Garat Ndërkombëtare të Matematikës që do të mbahen në kontinentin e largët të Australisë IMO 2025.

Lidhur me këtë sukses, drejtoria e shkollës ka organizuar një pritje për këtë nxënës të shkëlqyeshëm. Drejtori i Shkollës, Bekim Mustafa, pasi ka uruar Besnikun për suksesin e arritur, ka theksuar se suksesi i këtij nxënësi e bënë krenarë Gjimnazin Natyror “XHavit Ahmeti” dhe ka shtuar se Besniku është një nxënës i dalluar e i përkushtuar në punë, andaj të gjithë, me plotë të drejtë presin që ai denjësisht do të na përfaqësojë edhe në garat ndërkombëtare që do të mbahen në Australi.

Ngjashëm është shprehur edhe Agim Asllani, zëvendësdrejtori i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, që ka thënë se Besniku po dëshmon se është i përkushtuar në thellimin e njohurive të reja në lëndën e matematikës, derisa Festim Shkodra, mësimdhënës i lëndës së matematikës në këtë shkollë, mësimdhënës i Besnikut, por edhe koordinator i garave të matematikës tash e sa vite, ka shtuar se duke ditur përkushtimin që ka Besniku, me të drejtë pritet që ai do të arrijë suksese në këtë garë të madhe të matematikës, ku konkurrenca është shumë e fortë.

Besnik Haziri, që ka kohë të përgatitet deri në verë për garat e ardhshme, thotë se nuk do të kursejë mund e djersë, do të shfrytëzojë kohën për t’u përgatitur dhe se do të jap gjithçka nga vetja që të dalë sa më mirë në këto gara.

Ndryshe, Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti”, duke vlerësuar punën, suksesin dhe të arriturat e këtij nxënësi e ka nderuar atë me mirënjohje, sikurse që i ka dhuruar një tablet të markës VIVAX, i cili gjithsesi se do t’i shërbejë atij për përgatitje për garat e mëtejme.

You Might Also Like