ARSIMI

Nxënësit e shkollës së Bujqësisë në Gjilan me aktivitete të ngjeshura në kuadër të punës praktik

Nxënësit e shkollës së mesme të Agrobiznesit “Arbëria”, gjatë muajit mars kanë realizuar dhjetëra aktivitete në kuadër të mësimit praktik në hapësirat e kësaj shkolle.

Ata kanë mbjellë mbi 2 mijë fidane vishnje e mjedër, kanë pastruar dhe plehruar mbi 12 mijë rrënjë dredhëza, kanë krasitur mbi 2800 fidane të pemëve në sipërfaqe prej 2 hektarësh, sikurse që është bërë përgatitja e rasadit të specave, domateve dhe trangujve, e shumë aktivitete tjera.

Drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Shqipe Kastrati Haziri, është ndarë e kënaqur me punën praktike të mësimdhënësve dhe nxënësve, ndërkaq ka thënë se ky fakt dëshmon se kjo shkollë është më funksionale se kurrë.

“Këto dhjetëra aktivitete të punës praktike të nxënësve të shkollës së Bujqësisë, dëshmojnë se sa funksional është ky institucion dhe demanton disa zëra dashakeqës që propagandonin mbylljen e shkollës. Kryetari Haziri e ka dhënë zotimin e përkrahjes parezervë për nxënësit e bujqësisë, duke i stimuluar edhe me bursa nxënësit e shkëlqyeshëm dhe duke ua siguruar transportin falas”, ka thënë Kastrati Haziri.

Edhe gjatë muajve në vijim, shkolla e Agrobiznesit “Arbëria” do të vazhdoj me punën praktike, në mënyrë që të nxjerrë kuadro sa më cilësore dhe të përgatitur për tregun e punës.​

You Might Also Like