Gjilan

Pensionohet Super polici i Gjilanit, Naser Ibrahimi

Naser Ibrahimi, polic i gjeneratës së parë të policisë së Kosovës, ka mbushur moshën 65- vjeçare dhe ka përfunduar edhe karrierën e pasur në shërbim të popullatës, detyrë të cilën e ushtroi mbi dy dekada.

Prej punësimit në polici, ai ka punuar në njësite të ndryshme, nga patrullat e para, për të vazhduar më pas në policinë në bashkësi, në Njësitin antidrogë, në Zyrën për Informim dhe së fundi edhe në policinë kufitare.

Gjatë 22- viteve punë në polici, Naser Ibrahimi kurrë nuk pati asnjë vërejtje apo shkelje disiplinore. Më 2004, mbështetur nga ARC ka punuar filmin për fëmijë “Siguria e Fëmijëve”.

I cilësuar super polici i Gjilanit, Naser Ibrahimi, është dalluar për shumëçka dhe rrallëkush mund të krenohet me aftësitë e tija në lëmi të ndryshme, qofshin ato artistike, sportive, të qëndrueshmërisë e aftësi të tjera, të cilat publikut u ishin shpalosur me dhjeta herë.

Naser Ibrahimi është i veçantë ngase me biçikletë ka përshkuar rrugën Tetovë – Strugë e më pas ka kaluar në Shqipëri, kurse po me biçikletë i ka rënë tej më tej trojeve shqiptare, që nga Ulqini deri në Sarandë./kryelajmi.com/.

Për Naser Ibrahimin, i cili për një kohë të gjatë ka qenë edhe zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjilan është shkruar dhjeta herë, por në datëlindjen e tij të 65-të, që përkon edhe me pensionimin e tij, po i ribotojmë disa shkrime për të e që janë botuar në Gazetën “Zëri” dhe në atë online kryelajmi.com

Super polici i Gjilanit

(botuar më 15 qershor 2015 në Gazetën “Zëri”)

Lahet në klimë polare, noton me dhjeta kilometra pa u ndalë, nget biçikletën pa u ndalë me qindra kilometra, luan në instrumente të ndryshme, ka dhjeta hite të muzikës rok e nuk e lë anash as muzikën popullore e krahas kësaj edhe ruan kufirin e Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve. Ky është rrëfimi për super policin nga Gjilani, Naser Ibrahimi.

Enver Sadiku

Gradë policore nuk ka edhe pse të gjitha testet e gradimit do t’i kishte kryer kaherë. Kur vesh uniformën e policit të Kosovës, në dukje të parë gjithçka duket e zakonshme, por Naser Ibrahimi, që bart numrin 0079 të gjeneratës së parë të Shërbimit Policor të Kosovës është një oficer policie krejt ndryshe, në fakt ai është një super polic.

Sivjet ai do të duhet që të notojë për së gjati 58 herë pa u ndalë pishinën e Uglarit, ngase sa më shumë vite që mbush, ai bënë aq më shumë xhiro e Naser Ibrahimi i ka kaluar 57 vite. Rusët e Siberisë më kot krenohen se janë të qëndrueshëm nga të ftohtit, ngase polici ynë për çdo vit lahet në borë, kurse qëndrueshmëria e tij u vu në sprovë edhe me ngasjen e biçikletës, kur ditë më parë me biçikletë shkoi dhe u kthye nga Tetova. Mbase dikush mund të thotë se ka ushtruar dhe ky polic është i qëndrueshëm, por ai ka edhe shpirt artisti, që e ka trashëguar që prej moshës kur ishte i ri.

I lindur më 1957, Naser Ibrahimi, kitarën e parë e kishte blerë më 1972, që ishte gjenerata e dytë e kitaristëve në Gjilan. Ai ka  pasur 12 këngë të incizuara ne Radio Gjilani, kënga më e dëgjuar  e tij “Besa” edhe sot pëlqehet me ëndje. Në vitin 1983 u paraqit  në RTP në emisionin “Në orët e Vona”  dhe po atë vit bleu flautën e parë private në Gjilan,  e nisi të luaj edhe në klaviaturë e kontrabas. Ai prej se kishte arritur moshën e pjekurisë ishte anëtar i disa Shoqërive Kulturore e Artistike si:   SHKA “Zenel Hajdini” në Gjilan, “Punëtori”, “ Integj”, SHKA “Ramiz Sadiku” Prishtinë e AKV “Gjilani”, kurse ishte edhe pjesë e disa rok grupeve gjilanase si “Golden Boys”, “ Mbledhësit e Luleve”, “Fenix” dhe “Eufonia”. I tërë ky aktivitet nuk e pengoi që të kryej edhe Shkollën e Lartë të Makinerisë, kurse menjëherë pas luftës e veshi uniformën e policit, që në gjeneratën e parë të SHPK-së, duke qenë zëdhënës rajonal i policisë për tetë vite me radhë.

Që nga viti 2000, Naser Ibrahimi, për çdo vit lahet në borë, pastaj noton gjatë, kështu vitin e kaluar  si 57-vjeçar,  i ka notuar 57 gjiro (simbolikë e viteve së moshës) në pishinën e Uglarit “Shpëtimi “. Ai qëndrueshmërinë e tij ka nisur ta mas edhe nëpërmjet ngasjes me biçikletë, me të cilën ka udhëtuar nga Gjilani në Kamenicë, pastaj Ferizaj, Prishtinë e së fundi edhe në Tetovë, duke kaluar rrugën që përshkon Malet e Sharrit, vendkalimin kufitar në Glloboqicë e për të përfunduar në Tetovë, prej nga njëjtë është kthyer me biçikletë. “Gjithmonë e kam dashur natyrën, bukurinë e trojeve shqiptare, andaj jam i lidhur me të si në verë, ashtu edhe në dimër. E për t’a shijuar atë m’a ka mundësuar edhe profesioni i policit, ngase për një kohë kam punuar edhe në Novobërdë, vend me natyrë të mrekullueshme e tashti edhe në Malet e Karadakut në Stacionin e Zhegrës”, thotë polici Naser Ibrahimi, që është pjesëtar i një familjeje që ka kontribuar shumë për lirinë e Kosovës, ngase vëllai i tij, majori i karrierës Muharrem Ibrahimi, heroikisht kishte rënë në luftë në përballje me okupatorin.

Me biçikletë, nga një skaj i trojeve shqiptare në skajin tjetër

(botuar më 1 prill 2017 në gazetën online kryelajmi.com)

Nuk i bëri as dy ditë në shtëpi të vet dhe Naser Ibrahimi, polic i Kosovës që me biçikletë bëri qindra kilometra nga Gjilani deri në Shëngjin, tashti ka ndërmarrë një udhëtim tjetër edhe më sfidues.

Naser Ibrahimi, që ka shkelur të gjashtëdhjetat, por që është në formë jetësore, ka ndërmarrë edhe një udhëtim tjetër. Ai është nisur prej Gjilanit në drejtim të Vitisë dhe ka kaluar magjistralin në Fushën e Pajtimit, është ngjitur maleve të Sharrit dhe nëpërmjet vendkalimit kufitar në Glloboqicë ka mbërrirë në Tetovë. Superpolici i Kosovës ka vazhduar më tej në drejtim të Gostivarit dhe nëpërmjet Kërqovës, prej aty ka mbërrirë në Strugë.

Naser Ibrahimi, ka kaluar 224 kilometra për të mbërrirë në Strugë dhe krejt këtë rrugë ai e ka përshkruar për 12 orë e 41 minuta.

Lexuesit tanë tashmë janë në dijeni se Naseri ka disa cilësi që rrallëkush i ka. Ai në mes të janarit lahet në borë, verës noton në pishinën e Uglarit dhe i bënë aq xhiro sa vjet i mbush, ka dhjeta këngë të incizuara në Radio Gjilani e ka dhjeta hite, edhe muzikën popullore nuk e lë anash, kurse ai sigurisht se do të përgatis edhe befasi të radhës.

Naser Ibrahimi plotëson premtimin, me biçikletë deri në Sarandë

(botuar më 19 shtator 2019 në gazetën online kryelajmi.com)


Dikur u quajt superpolici i Kosovës, ngase ai shquhej si njeri i rekordeve, kurse edhe tashti Naser Ibrahimi, polic i Kosovës vazhdon me thyerjen e rekordeve.

Një të tillë ia kishte ndërprerë një aksident, të cilin e kishte pësuar, por Naser Ibrahimi, misionin që e kishte lënë në gjysmë e ka vazhduar tashti.

Polici i Kosovës, Naser Ibrahimi më 2 maj 2018 kishte nisur një rrugëtim nëpër trojet shqiptare, duke iu rënë atyre për së gjati, që nga Ulqini e deri në Sarandë.

Ai nga Gjilani kishte marrë autobusin për në qytetin bregdetar të Ulqinit, prej ku do të niste rrugëtimin e tij. Me vete kishte marrë edhe biçikletën dhe gjithçka që i duhej për të bërë rrugëtimin mbi 400 kilometra të vijës bregdetare shqiptare. Nga Ulqini ishte nisur për në Shkodër, Lezhë, Fushë Krujë e qytete e fshatra  të bukura të Nanës Shqipëri , kurse pak para se të mbërrinte në Durrës, afër gjashtë kilometra larg qytetit bregdetar, atij i pëlcet goma i biçikletës, rrëzohet dhe thyen disa eshtra të fytyrës.

Mbi 164 kilometra rrugë kishte bërë atëherë kur ishte rrëzuar dhe misioni i tij kishte ngelur në gjysmë dhe dukej se më Naser Ibrahimi nuk do të mund të realizonte atë që kishte premtuar.

Atë fillimisht e dërguan në Emergjencën e Spitalit të Durrësit ku mori ndihmën e parë, pastaj u shërua edhe në Prishtinë dhe u rehabilitua.

Më 17 shtator të këtij viti, ai sërish mori biçikletën dhe shkoi mu aty ku ishte rrëzuar, i hipi biçikletës dhe vazhdoi misionin, nga Ulqini në Sarandë.

Durrësi, Fieri, Gjirokastra, Syri i Kaltër mbetën prapa biçikletës së tij dhe në fund u arrit caku, Naser Ibrahimi, superpolici i Kosovës i hipur në biçikletë arriti në Sarandë.

Tashti, kur ai ka plotësuar misionin e tij thotë se “gjatë udhëtimit kam hasur shumë njerëz të mirë, vërtetë me disa ndryshime, por gjithë e flisnin SHQIP. KËNAQËSI…”.

Kjo e arritur e Naser Ibrahimit nuk është e vetmja, rokeri i njohur gjilanas i këngëve të tija si “Besa”, “Do të thej kitarën” e këngëve të tjera, ish- zëdhënësi i policisë rajonale, polici profesionist e i shumë të arriturave të tjera, me biçikletë ka realizuar shumë të arritura, anekënd trojeve shqiptare.

Ai për çdo vit thyen nga një rekord, në pishinën e Uglarit, për datëlindje, po aq herë e noton për së gjati pishinën dhe sivjet atë e notoi 62 herë në gjatësi 50 metra.

You Might Also Like