PËRVJETOR
PESËDHJETË VJET NGA VRASJA E POETIT ALUSH CANAJ
Pesëdhjetë vjet më parë, pikërisht në ditën e sotme të 15 shkurtit të vitit 1972, UDB-ja jugosllave me shërbëtorët e vet, vrau poetin Alush Canaj. E panë rrezikun nga vargjet e tij. Dhe e bënë krimin. Në agun e ditës që po lindte e trishtuar,( më 16 shkurt), me yllin e fundit, u shua poeti. Ata që e vranë, festuan krimin në hotelin ,, Evropa” të qytetit të Gjilanit. Harruan se poetët nuk vdesin as kur i vrasin, kur i qëllon dorë e fshehtë. Ata jetojnë në veprat e tyre. Nga aty na flasin përditë. Dhe ne e dëgjojmë atë zë lirie. Është edhe zëri i Alushit që na vjen sot si jehonë.
HARABELI
Unë jam harabeli
me shtëpi te zabeli.
Me këngë bleroj barin,
luftoj me acarin.
Ma tregojnë kamxhikun,
s`e luaj dot qerpikun,
as s`shkoj në shtegtim,
rri në vendin tim.
Në tokën e lavdisë,
në zemër të Ilirisë.
(1970)
FLAMURI MBI KULLË
Më ndjekin ujqit
për flamurin mbi kullë.
Copa-copa do të më bajnë
si drenushën e pafajshme,
nëse më kapin në maje të lisit.
Ulurojnë,
lisin duan ta rrëxojnë
po rranjet e tij thellë në Iliri.
Si lumi kur del nga shtrati
zemërimi rritet e rritet,
plasin nga inati.
Flamuri në kullë valvitet.
(Kallnor, 1972)