ARSIMI

Profesor Emrush Qamili me ditar në dorë tash e 42 vite


 

Gjilan- Dashuria e madhe ndaj shkollës, mësimit, nxënësit e zilës shkollore, për Profesor Emrush Qamilin, edhe pse tani e 42 vite me herët

kishte bërë që për herë të parë të kap ditarin në dorë edhe pse i kishte vetëm 22 vjeç, bëri që asnjëherë të mos ndahet nga “familja” e tij nga nxënësit që tërë jetën ua kushtoi që të kenë një jetë më të mirë.

 

Profesor Qamili, shkollën fillore e kreu në Pogragjë të Gjilanit për të vazhduar të mesmen në Shkollën Normale, ndërsa studimet i kreu në Fakultetin e Gjuhë e Letërsi Shqipe në Prishtinë.

Familja Qamili gjithmonë ka qenë familje arsimdashëse, 20 familjarë të kësaj familje janë magjistra e doktorë të profileve të ndryshme të jetës shoqërore.

Profesor Emrush Qamili, gjatë këtyre viteve u përball me shumë sfida të jetës e veçanërisht të atyre të sistemit komunist.

Karrierën e mësimëdhënsit, Qamili, e fillon në Shkollën e mesme Ekonomike në vitin 1975, por pas një viti e largojnë si profesor i papërshtatshëm pasi që ishte “irredentist” dhe kishte marrë pjesë në demonstratat e vitit 1968, duke e transferuar në Organizatën Ndërtimore “Morava e Binqës”, si përkthyes për tu rikthyer në procesin mësimor pas tri vitesh.

“Ishin kohëra të vështira për intelektualët shqiptar, por po fillonte të lulëzonte rinia shqiptare në proceset mësimore, ishte e vështirë

për profesorët e Gjuhës Shqipe që na konsideronin si “Irredentista”, dhe kundër pushtetit Jugosllavë demonstratat e vitit 1968, më gjetën si nxënës i shkollës së mesme dhe me shum shok ishim që shkolla shqipe të lulëzonte sa më shumë dhe populli shqiptar të ketë të drejta të barabarta si të gjithë popujt tjerë”, kujton profesor Qamili.

Profesor Qamili, si sot kujton ditën e parë kur kapi ditarin për herë të parë në dorë.

“Dy ditë nga gëzimi gjumë në sy nuk kisha shtirë, vazhdimisht i mendoja nxënësit para meje ndërsa kur mora ditarin në dorë e kam puthur si një fëmijë të vogël dhe lotët më binin, u betova në flamur e në jetën time, se jetën time do t’ja u dedikoj nxënësve dhe atdheut tim”, kujton me emocione, profesor Emrush Qamili.

 

Profesori i nderuar dhe i respektuar, rikthehet tek nxënësit pas tri vitesh pa humbur asnjëherë as një orë të vetme nga procesi mësimor, për tu mos u ndarë më asnjë herë, edhe kur ishte i sëmurë nuk e pengonte as shiu e as bora, as vapa e acari, gjerë në vitin 2010 kur emërohet  si Drejtor i Shkollës së mesme Bujqësore “Arbëria” në Gjilan.

Gjatë këtyre viteve kam pasur shumë sfida të jetës me nxënës, ata ishin më tepër se fëmijët e mijë, ishim si një familje por kur arrinin në jetën e tyre që kryenin fakultetet isha shum i lumtur, dhe puna që bënim me nxënësit na u shpërblente duke i parë të ngritur në mënyrë intelektuale”, shprehet Qamili.

 

Furtunat e jetës profesor Qamilin nuk e ndalnin në asnjë moment, përkundrazi këto furtuna vetëm sa e forconin me tepër tek nxënësit e tij, ai sot kujton kur nxënësit u larguan me dhunë nga shkollat nga pushteti i Serbisë.

“Ishin kohëra të pa kohëra, kërkonin në çdo mënyrë pushteti Serb t’na shfaroste të na sillte me shekuj mbrapa, por inteligjenca e popullit shqiptar këtë nuk e lejoi, largimi nga shkollat ishte e tmerrshme e pakompensueshme por u organizuam siç është më së miri, unë kam liruar shtëpinë time gjatë kësaj kohe të bëhet shkollë për hir të nxënësve dhe popullit duke u mbajtur riprovimet e Qershorit e Gushtit për tërë shkollën e Arbërisë, dhe për këtë jam shumë i lumtur jo vetëm unë por e tërë familja ime”, thekson profesor Qamili.

 

Profesori i Gjuhës e letërsisë Shqipe, Emrush Qamili, gjithmonë ishte në krye për të drejtat e nxënësve, ai gjithmonë ishte i përndjekur nga pushteti Serb, tri herë ishte i burgosur i maltretuar fizikisht e psiqikisht, por asnjëherë nuk u thye pasi zemra e tij ishte që nxënësit shqiptarë të përparonin në sferën intelektuale.

Sot profesor Emrush Qamili, me suksese të mëdha po drejton Shkollën e Mesme të Artit në Gjilan, e cila shkollë po arrinë rezultate kulminante si në arenën vendore ashtu dhe në atë ndërkombëtare.

“Jam shumë krenar me punën që kemi arritur në këtë shkollë me gjithë nxënësit dhe stafin e punës, kudo që paraqitemi kemi lënë gjurmë  të pashlyera, me këtë temp do të vazhdojmë edhe në të ardhmen për të mirën e nxënësve pasi që ne jemi përqëndruar ta japim më të mirën që mundemi për ardhmërinë e nxënësve tanë”.

 

Profesor Qamilit i kanë mbetur edhe pak gjerë në pensionim dhe për këtë është mjaft i mërzitur por edhe krenar, gati gjysmë shekulli me ditar në dorë.

“Sikur ti kisha dy jeta të dyja do t’ja kushtoja nxënësve, ata janë si lulja kur qelë vetëm duhet në mënyrë pedagogjike dhe me çiltërsinë ma të madhe të zemrës ta kuptosh nxënësin dhe kurrë suksesi nuk do të mungon, unë nga zemra çdo nxënës dhe prind të tyre i falënderoj për besimin që kanë pasur tek unë dhe për mua kjo është pasuria më e madhe në jetë, ndërsa ju bëj thirrje nxënësve që të mësojnë dhe ti bashkangjitemi botës demokratike, sepse pa mësim rikthehemi në jetën mesjetare”.

Shtëpia e profesor Qamilit është mjaftë intelektuale, djali Shpëtimi është Dr. i mjekësisë veterinare në Amerikë së bashku me bashkëshorten e cila është Mr. e Menaxhmentit, Drejtoresh e spitalit në Amerikë, po ashtu edhe Kushtrimi është Mr. i Ekonomisë së bashku me bashkëshorten Xhevahiren e cila është Mr e PHC, ndërsa vajza Edona poashtu është Mr. e PHC.

 

You Might Also Like