Gjilan

Prokurorja kërkon paraburgim prej një muaji ndaj 24 të dyshuarëve

Gjilan, 02 Tetor 2020  – Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se nga prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, nga Gjykata kompetente në Gjilan, ndaj njëzetekatër (24) personave të dyshuar, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të zhvilluar më 01 Tetor 2020, i cili ka qenë vazhdimësi e aksionit të Karaçevës.

 

Sipas kërkesës, të pandehurit R.S., L.M., F.A., A.A., N.M., H.Rr., P.Sh., A.D., F.B., R.K., I.Th., R.A., A.Th dhe F.K., që nga muaji Nëntor 2019, në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë  komuna e Kamenicës, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë ndërmarrë veprime për të  kontrabanduar gjedhe, të cilat i kanë bartur përmes rrugëve ilegale  jashtë  vijës kufitare, duke iu shmangur kontrollit doganor.

 

Në këtë mënyrë dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

 

Ndërsa, të pandehurit J.H., N.Sh., Sh.K., K.M., U.A., B.R., A.H., H.M. dhe J.B., që nga muaji Dhjetor 2019, si persona përgjegjës të bizneseve për përpunimin e mishit, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, kanë blerë gjedhe, për të cilat kanë pasur dijeni se janë të kontrabanduara dhe me qëllim të shitjes kanë prodhuar dhe vënë në qarkullim produkte të mishit, pa u bërë kontrollet e nevojshme sipas standarteve.

 

Me këto veprime, dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘’Blerja, pranimi ose fshehja  e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’, dhe ‘’Prodhimi dhe vënia në qarkullimin e artikujve të dëmshëm ushqimor’’, të KPRK-së.

 

Ndërsa, i pandehuri I.K., që nga muaji Shtator 2019, deri më 18 Shtator 2020,  në lokalin  Automate  Club, në fshatin Karaçevë komuna e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të kundërligjshme  dhe në vazhdimësi ka organizuar lojërat të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj .

 

Në këtë mënyrë, ka kryer veprën penale ‘’Organizimi  i skemave  piramidale  dhe bixhozit  të paligjshëm’’, të KPRK-së.

 

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit pritet që të mbahet sot para gjyqtarit të procedurës paraprake.

You Might Also Like