Fjala e Arben Bislimit në mbledhjen përkujtimore për nder të basketbollistit Tahir Murati
Shumë e nderuara familja Murati. Të dashur miq, shokë e bashkëlojtarë të Tahir Muratit
Lajmi për vdekjen e hershme dhe të papritur të Tahir Muratit, i ka tronditur thellë të gjithë njerëzit dhe kolegët që e njohën atë dhe që patën rastin të bashkëpunojnë me të, prandaj jemi mbledhur sot në këtë takim koomemorativ për t’a kujtuar dhe nderuar jetën dhe kontributin e mikut dhe basketbollistit të njohur gjilanas e kosovar Tahir Murati, i cili me përkushtim e me nder, pa u ndalë punoi në shërbim të sportit, në avancimin e vlerave sportive dhe në zhvillimi e rritën e basketbollit në Gjilan. Përmes kontributit dhe angazhimit të tij, basketbolli në qytetin tonë rreth vetit kishte mbledhur gjenerata të tëra, të cilët e ngritën lart këtë sport.
Tahir Murati, qysh i ri ishte mishëruar me lojën e basketbollit dhe këtij sporti nuk iu nda as në kohët më të vështira për sportin kosovar, në kohën kur në vendin tonë tentohej të ngulfatet çdo aktivitet politik, kulturor, arsimor e sportiv. Pikërisht në këto kohë, Tahir Murati dhe bashkëlojtarët e tij nuk u zmbrapsen, por shtuan aktivitetin dhe në këtë kohë ia arritën që klubin e tyre ta shpallin kampionë në nivel vendi.
Aktiviteti sportiv i Tahir Muratit nuk pushoi as pas luftës dhe ai ishte pjesë e rritës së KB Drita, e cila tashmë po e mbushte sallën përplot. Tërë dijen jetësore dhe mësimet që i kishte marrë në sport, Tahir Murati më pas u angazhua që t’i përçojë tek gjeneratat e reja, gjithnjë duke kultivuar frymën sportive, të shoqërimit e të bashkëpunimit me të gjithë.
Ai dëshmoi vullnet e përkushtim të palëkundur. Angazhimi i tij ka lënë gjurmë të thella në basketbollin gjilanas. Ai ka lënë mbresa të pashlyeshme te të gjithë ata me të cilët punoi e bashkëpunoi.
Vdekja e tij e hershme ka lënë zbrazëti në sportin tonë dhe mungesa e tij do të ndjehet për një kohë të gjatë. Ai punoi për basketbollin, për Gjilanin, fuqizimin e sportit dhe do të mbetet pjesë e historisë dhe e arritjes së sukseseve tona.
Mbi të gjitha, ai e deshi familjen e tij, për të cilët punoi e sakrifikoi edhe atëherë kur sëmundja e rëndë e kishte kapluar. Ai i dha familjes kurajo për jetë, fëmijëve të tij për t’u bërë nxënës të mirë, punëtorë, të zellshëm e qytetarë të ndershëm.
Kujtimi për Tahirin si njeri plot energji e pozitivitet do të mbetët gjithmonë në mendjett tona. Ai do t’i mungojë miqve e shokëve, por më së tepërmi do t’i mungojë familjes, të cilën aq shumë e deshti, por e cila, ashtu siç i kishte porositur Tahiri do të gjejë forcë për të përballuar këto çaste të vështira.
E nderuara familja Murati, miq të sportistit shembullor Tahir Murati, në emër të Komunës së Gjilanit dhe të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte, shpreh ngushëllimet më të thella për të gjithë ju për këtë humbje të madhe.
Ta kujtojmë përherë Tahirin, ashtu si e kemi njohur! Lavdi jetës dhe veprës së familjarit e basketbollistit të shkëlqyer, Tahir Murati!