Komunikatë e Lëvizjes Vetëvendosje
Pas dorëheqjes së drejtoreshës për Buxhet dhe Financa, lajmi kryesor nuk ishte as dorëheqja e saj, as bllokimi i buxhetit për shtatë muaj, e as pengesat dhe bojkoti i vazhdueshëm ndaj një qeverisjeje të ndershme. Për më tepër, lajmi përfshinte edhe sulmet ndaj qeverisjes dhe Kryetarit të Komunës.
Megjithatë, në titujt e mediave dhe portaleve të njëanshme, theksi u vu tek një pretendim i pavërtetë: “Aktivistët e VV-së i thyejnë derën e zyrës së drejtoreshës për Buxhet dhe Financa.”
Kjo situatë kërkon dy sqarime të rëndësishme:
1. Lajmi është i pavërtetë. Asnjë aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk ka qenë dhe nuk është i punësuar në këtë drejtori. Prandaj, kjo është një tendencë e qartë për të sulmuar Lëvizjen dhe për të shpërqendruar opinionin publik nga problemet e vërteta.
2. Pretendimi për hapjen e zyrës do të vërtetohet së shpejti. Drejtoresha pretendon se zyra e saj është hapur pa leje, ndonëse ajo ishte e mbyllur. Ne nuk besojmë se ndonjë zyrtar i administratës komunale do të kryente një veprim të tillë. E vërteta do të dalë shpejt në pah.
Së fundi, duhet të kuptohet se raportet personale dhe kolegiale nuk mund të krijohen apo të përmirësohen nga të tjerët, por janë rezultat i qasjes dhe sjelljes individuale. Fatkeqësisht, marrëdhëniet ndërpersonale brenda kësaj drejtorie kanë qenë problematike që nga shkarkimi i drejtorit të parë. Pavarësisht kësaj, harmonia mes stafit është në nivel të lartë dhe ne kemi besim të plotë në profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.
Kritikat që vijnë nga ata që manipulojnë vullnetin e popullit – njerëz që vetëm brenda katër viteve të mandatit të tyre (2017-2021) kishin katër drejtorë dhe përfunduan me dhjetë aktakuza – nuk janë as të besueshme për publikun, e as për ta vetë. Ata abuzuan jo vetëm me paranë publike, por edhe falën e humbën tokën e larë me gjak.
Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim të lartë dhe me ndershmëri e përulësi, për t’u shërbyer qytetarëve të Gjilanit. Projektet tona, investimet në Gjilan, mbështetjen e madhe të qeverisë së Kosovës, nuk mund ta zbehë e shpërqëndrojë askush, pavarësisht sa provoni.