Gjilan

Rifillojnë punimet në rregullimin e infrastrukturës, të cilat ishin ndërprerë për shkak të zgjedhjeve

Gjilan, 28 qershor / Gjithandej komunës së Gjilanit, në qytet dhe fshatra, kanë vazhduar projektet për rregullimin e infrastrukturës bazike, pasi punimet ishin ndërprerë përkohësisht në disa lokalitete, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme në vend. Aktualisht po punohet në disa fshatra, përveçse në Cërnicë, ku punimet janë ndërprerë për shkak të moszbatimit të drejtë të kontratës.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se projektet infrastrukturore, të ishin pezulluar për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend, kanë rinisur këtë javë në disa lokalitete dhe po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë.

“Këtë javë kemi filluar me zbatimin e programeve në infrastrukturën rrugore, kanalizime dhe ujësjellës dhe nuk do të ndalemi në zbatimin e programit në qytet e fshatra, derisa të përmbushim nevojat bazike të qytetarëve, të cilat janë të nevojshme për një jetesë më të mirë, si në qytet, ashtu edhe në fshatra, kudo që ata jetojnë”, ka thënë kryetari Haziri.

Aktualisht po punohet në Malishevë, Pogragjë, Perlepnicë, Vërbicë të Kmetocit, Shillovë, Kmetoc, Llashticë, Velekincë, Zhegër e lokalitete të tjera, ka thënë ai. Për shkak të moszbatimit të drejtë të kontratës, punimet janë ndalë në Cërnicë, për çka Haziri ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët, derisa është shprehur i vendosur të mos lejojë shmangie të punë kryesit nga detyrimet. “Kërkoj mirëkuptimin e banorëve, meqë do të rifillojmë shpejt me punë edhe këtu, sikurse edhe në rregullimin e rrugës Livoç i Epërm-Gumnishtë si dhe dy rrugëve hyrëse-dalëse në

drejtim të Ferizajt, deri në Livoç i Poshtëm dhe asaj të Prishtinës, në gjatësi 3,2 km, deri te liqeni”, ka theksuar Haziri.

Përndryshe, një mori punimesh tashmë kanë përfunduar.

You Might Also Like