Arti pamor

RUDAKU VJEN ME NJË EKSPOZITË TË RRALLË

 

 

Në galerinë e qytetit në Gjilan, mbrëmë është hapur një ekspozitë e rrallë bashkëkohore, nën emërtimin “Lidhja e shkurtër”, nga Avni Rudaku, i cili është i njohur për publikun me shumë angazhime profesionale, qoftë si poet, kritik, publicist, sociolog, psikolog, mësimdhënës, ndërsa si kurator ishte Abedin Azizi, artist vizuel.

Janë paraqitur 32 vepra, instalacione artistike, duke shfrytëzuar vetëm dy mediume: prizat dhe spinat. Përmes tyre, Rudaku ka arritur t’i konkretizojë në mënyrë kreative, duke realizuar të gjitha çrregullimet parafilike e seksuale, orientimet, sjelljet dhe përgjigjet seksuale, për të paraqitur diversitetin seksual.

Drejtori i organizatës “Varg e Vi”, Avni Shkodra, u shpreh në hapje të ekspozitës: “Ekspozita ‘Lidhja e shkurtër’, flet për diversitetin seksual përmes prizave dhe spinave dhe është e ndarë në tri lloje të instalimeve artistike për të shprehur ato sjellje seksuale që nuk lejohen askund, ato që lejohen dikund dhe ato që lejohen gjithkund.”
Ndërsa Avni Rudaku, autor i ekspozitës personale, tha se “ekspozita tregon shumëllojshmërinë seksuale në natyrën njerëzore, ku disa sjellje janë të diagnostifikuara si çrregullime në manulet më të njohura botërore të ekspertëve nga shkenca, disa sjellje të ndaluara diku e të lejuara diku tjetër varësisht nga kulturat lokale, e të lejuara pas një kohe në të njëjtin vend, dhe ca si të pranuara universalisht kudo”.
Ndërsa Abedin Azizi, kurator, tha se “ekspozita ka sjellë shkencën në art dhe kjo do të ishte mirë të bëhej si ligjëratë në të gjitha shkollat e Kosovës, pasi është gjetje e veçantë artistike për të shpjeguar seksualitetin kompleks njerëzor”.
Në konceptin e ekspozitës “Lidhja e shkurtër”, të varur në murin e galerisë, shënonte tekstualisht: “Secilit prej nesh i kujtohen urdhrat e prindërve për të mos prekur objektet apo gjithçka tjetër që lidhej me prizat. Prizat u bënë tabu e kahershme. Na lindi edhe frika prej krejt elektricitetit, e veçanërisht, prej “spojit”, lidhjes së shkurtër. “Mos e prek, se bën spoj”, dëgjohej shpesh në familjet tona, e dikur përtej tyre. Në aspektin e energjisë elektrike, lidhja e shkurtër është çasti kur energjia elektrike udhëton në një rrugë alternative për në qarkun elektrik, jashtë rrugës së caktuar për të qarkulluar. Nëse kjo rrjedhje është e tepërt përgjatë kësaj rruge, atëherë do të kemi probleme në furnizimin me energji elektrike. Rryma kthehet në tokë me një rrugë më të shkurtër, që mund të shkaktojë zjarr, djegie, shkëndija elektrike, xixa, por edhe pasoja të rrezikshme në njerëz. Njësoj me energjinë elektrike, edhe për energjinë seksuale, ka një mori kërkesash, ndalesash, preferencash e fantazish, deri në çrregullime të koduara nga autoritetet shkencore. Ekziston edhe lidhja e shkurtër në seksualitetin njerëzor, jashtë rrugës së caktuar shoqërore dhe kulturore për t’u furnizuar, eksituar, shprehur e çliruar. Lidhja e shkurtër në seksualitet varet nga: 1) vetëraportimi për vetëvuajtje, 2) raportimi nga të tjerët për vuajtje, 3) hegjemonia dominuese e shumicës, 4) ndikimi nga autoritetet shkencore, 5) kultura… Në shumë teori dhe manuale klinike mbi seksualitetin, hasim shprehje të energjetikës, si: energji, tension, shkarkim, ngarkim, impuls, rënie, ngritje. Manualet më autoritative ndërkombëtare të diagnozave të çrregullimeve parafilike, seksuale e gjinore, si DSM-5 nga Shoqata e Psikiatërve Amerikanë, ICD-11 nga OBSH, CCMD-3 nga Shoqata Kineze e Psikiatrisë etj., përditësohen kryesisht pas çdo 10 vjetësh e më shumë. Në këtë vit, 2022, hyri në fuqi versioni më i ri i ICD-11. Në fund të muajit mars të këtij viti kur po ekspozohet “Lidhja e shkurtër”, do të botohet teksti i rishikuar i DSM-5-TR për të gjitha çrregullimet, e edhe për ato seksuale. Përveç manualeve, se cilat mënyra të përmbushjes seksuale krijojnë lidhje të shkurtër, varet edhe nga diskrecioni i vetë mjekëve, nga vetë interpretimi i manualeve dhe përshtatja unike për çdo rast klinik. Rastësisht, në këtë muaj të “Lidhjes së shkurtër”, shpërtheu edhe debati për bashkësitë civile të seksit të njëjtë, që paralajmërohej me miratimin e Projektkodit Civil në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e që nuk kaloi nga shumica. Për çdo sjellje, përgjigje, fantazi, normë ligjore e kulturore, çrregullim seksual, si dhe për operim me konceptet “seks” (biologji, anatomi) dhe “gjini” (sociologji, shoqëri) në sjellje normale dhe anormale, gjithçka është lidhur me mediumin e njëjtë: një spinë për të simbolizuar mashkullin pasi ka dy kunja të metaltë në një kokë të izoluar e të mbërthyer në tel siç e përshkruan edhe fjalori, ngjashëm me penisin, si dhe prizën – pajisje me dy vrima, ku futet spina për të lidhur një aparat me burimin e rrymës elektrike, përkatësisht rrymës seksuale.”


“Lidhja e shkurtër” ishte aktivitet i radhës nga Varg e Vi, mbështetur financiarisht nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, ndërsa për lejimin e hapësirës, u falënderua Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 4 prill 2022, në Galerinë e qytetit në Gjilan, mbrapa objektit të Teatrit të Qytetit, ish-biblioteka “Fan S. Noli”.

You Might Also Like