Gjilan, 19 qershor 2018 – “Ju bëj thirrje të gjithë investitorëve që t’i kryejnë paraprakisht procedurat e pajisjeve me leje ndërtimi, në të kundërtën, ata që tentojnë të ndërtojnë pa leje, toleranca do të jetë zero”.
Kështu ka thënë sot në një konferencë për media drejtori i Inspeksionit në Gjilan, Nevzad Rushiti, gjatë prenzatimit të punës që nga rithemelimi i Drejtorisë përkatëse.
“Siç e dini, në Gjilan kemi vlug të investimeve në ndërtimet e larta kolektive dhe krejt kjo vjen nga krijimi i mundësive të mëdha për bizneset nga ana e kryetarit të Komunës, z. Lutfi Haziri, gjithnjë duke respektuar ligjet në fuqi për ndërtim dhe planet urbanistike”, tha ai.
Rushiti ka dekraruar se përveç inspektimeve të përditshme, kemi formuar edhe Tast Forcën për sezonën e verës dhe kohën kur në komunën tonë kemi fluks të bashkatdhetarëve tanë, të cilët vijnë nga diaspora në familjet e tyre, për t’iu mundësuar lëvizje të lirë.
Ai, në këtë konferencë, ka deklaruar se janë në inspektim të përditshëm të të gjitha thertoreve dhe përpunuesit e mishit, përpunuesit e qumshit, duke shtuar se brenda një kohe të shkurtër i kanë inspektuar të gjitha restorantet dhe kafeteritë.
“Për informimin tuaj dhe të qytetarëve tanë, para disa ditëve kemi asgjësuar një sasi të konsiderueshme të artikujve ushqimor në një qendër tregtare në Gjilan dhe të gjitha veprimet janë ndërmarrë sipas dhe rregulloreve në fuqi”, ka theksuar drejtori i Inspeksionit në Gjilan, Nevzad Rushiti.
Po ashtu, ai ka nënvizuar se së bashku me inspektorët, janë në terren gjatë gjithë kohës për lirimin e hapësirave nga uzurpatorët në mënyrë që qytetarëve t’ju mundësohet lëvizje e lirë.
“Përveç Tast Forcës, kemi organizuar edhe kujdestarinë ditëve të uikendit dhe pas orarit të punës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Personalisht, jam i kënaqur me punën e inspektorëve, por edhe me bizneset e vogla dhe të mëdha, të cilat po i respektojnë ligjet në fuqi”, ka thënë në fund Rushiti.