Gjilan, 17 qershor 2019 – Drejtori i Administratës në Gjilan, Bardhyl Syla, ka deklaruar se për pesë muaj të këtij viti, kjo drejtori ka përfunduar mbi 54 mijë lëndë, derisa 5900 të tjera janë në proces të shqyrtimit.
“Drejtoria për Administratë e Përgjithshme, nëpërmjet Qendrës për Shërbim me Qytetarë, ka qenë mjaft efikase dhe funksionale në realizimin lëndëve si të përfunduara me kohë dhe brenda afateve. Në këtë periudhë pesë mujore, përmes QSHQ-së, janë pranuar lëndët e sipër përmendura dhe shikuar në aspektin e përqindjes, rezulton se Komuna e Gjilanit, i ka kryer lëndët sipas Ligjit të Procedurës Administrative me një përqindje të kënaqshme prej 90.3 për qind”, ka thënë Syla në konferencën e rregullt për media.
Ai konfirmoi se janë në proces të përgatitjeve për funksionalizimin e dy zyrave të gjendjes civile në qytet, njëra në lagjen Dardania dhe tjetra në lagjen Arbëria.
“Qëllimi është që të bëhet dekoncentrimi i shërbimeve administrative, që ato të jenë sa më afër qytetarëve ku ata jetojnë dhe veprojnë”, është shprehur Syla.
Gjatë prezantimit të punës 5-mujore, i pari i Administratës në Gjilan konfirmoi se nga sektori i Gjendjes Civile janë ndërmarr veprime juridike administrative dhe janë lëshuar 8840 dokumente si dhe janë zhvilluar 676 procedura administrative.
“Ndërkaq, pothuajse i tërë dokumentacioni i Drejtorive, Njësive Administrative dhe Organeve të tjera të Komunës, po regjistrohet dhe sistemohet sipas standardeve ligjore në kuadër të Arkivit të Komunës”, u shpreh Syla.
Si sfidë, drejtori i Administratës në Gjilan, Bardhyl Syla, e ka paraqitur mungesën e certifikatave origjinale.
“Deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme si kompetente në këtë aspekt ende nuk e ka bërë furnizimin me certifikata. Falë bashkëpunimit me disa prej komunave, të cilat, na kanë ndihmuar duke na huazuar një numër të certifikatave, kemi arritur që sa do pak ta tejkalojmë këtë situatë në raport me qytetarë”, ka thënë ai.