Gjilan

U mbajt tribunë shkencore për Idriz Seferin

Në 170 vjetorin e lindjes e 90 vjetorin e lindjes së kryetrimit Idriz Seferi, Komuna e Gjilanit vitin 2017 e ka shpallur si vit të këtij njeriu të madh në historinë tonë kombëtare, kurse Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, ka organizuar tribunë shkencore, e cila ka gjetur edhe përkrahjen e kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

19 studiues, me punimet e tyre kanë hedhur edhe më shumë dritë mbi figurën e Idriz Seferit në tribunën me titull “Idriz Seferi një jetë për Shqipërinë 1847-1927”.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka theksuar se  2017-ta është vit i Idriz Seferit, por atij i takojnë edhe dekadat sepse ka bërë Epope dhe kryengrtije të madhe për ta bërë Shqipërinë. Ky përvjetor i madh i lindjes dhe i vdekjes, na bashkon të gjithëve për ta zbardhur rolin e tij në historinë për bërjen e Shqipërisë, të kryengritjes së Karadakut, luftëtarëve të tij, Gollakut, e Moravës e Kosovës, për ta marrë detyrën më të rëndë që e kishte, çlirimin e kryeqytetit të Vilajetit të kosovës, Shkupi”, ka deklaruar në fjalën e tij, kreu i Gjilanit.

Haziri tha se ne jetojmë edhe me legjendën e Idriz Seferit, për dallim nga bashkëpatriotët në Prizren, Tiranë, Drurrës, Vlorë apo Skrapar, sepse ne kemi jetuar në afërsi të tij fizikisht dhe gjeografikisht.

 

“Gjyshërit tanë kanë qenë bashkëluftëtarë të tij dhe të cilët janë dënuar bashkë me të dhe kanë vuajtur edhe okupimin e rëndë të luftërave të kohës dhe në fund kanë qenë edhe jesirë (rob), të burgosur dhe janë ndarë nga kjo jetë me mallin për Shqipërinë. Kjo legjendë, neve na bënë edhe të obligueshëm që vepra e tij të zbardhet deri në fund”, ka theksuar kryetari Haziri.

 

Ai e ka vlerësuar si hap të mirë të Shoqatës së Historianëve organizimin e kësaj tribune, ndërkaq u ka rikonfirmuar se Komuna e Gjilanit do të financoj çdo detaj të kësaj kryengritje, të cilën e nxjerrin në dritë njerëzit e letrave, shkrimtarët, poetët, studiuesit etj.

 

Haziri tha në fund se nga kjo kryengritje nuk ndahet në asnjë mënyrë roli i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

 

“Kjo padrejtësi, e cila nuk është zgjidhur deri në fund, nuk e i lë rahat asnjëherë eshtrat e Idriz Seferit dhe bashkëluftëtarëve të tij”, tha Haziri.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Fehmi Rexhepi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen në organizimin e kësaj tribune të rëndësihme, duke thënë se “historia është mësuesja e jetës dhe ndriçuesja e të kaluarës”, derisa edhe Blerim Haziri, kryetar i degës së kësaj lidhje ka folur për këtë ngjarje të madhe.

Në këtë tribunë shkencore do të paraqiten me kumtesa 19 historianë e studiuesw nga Kosova e Shqipëria, me qëllim të pasqyrimit të personalitetit dhe veprimtarisë së Idriz Seferit në të gjitha dimensionet politike, ushtarake, shoqërore, kulturore, arsimore, historike dhe historiografike.

Në sesionin shkencore janë paraqitur me radhë Fatmira Musaj “Pasqyrimi i veprimtarisë së Idriz Seferit në histori dhe historiografi”, pastaj Naim Musliu me “Gjenealogjia e familjes Seferi”, Sabile Keçmezi-Basha që shpalosi Personalitetin e  Idriz Seferit në shkrimet e Sadullah Brestovcit, Aliriza Selmani “Bashkëpunimi i Idriz Seferit me parinë gjilanase”, Ardita Hajdari – “Kontributi i Idriz Seferit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare deri më 1908”, Sali Kadria – “Kontributi i Idriz Seferit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare 1908-1912”, Hasan Bello – “Kryengritja e vitit 1910 dhe Idriz Seferi në optikën e diplomacisë”, Alban Dobruna – “Bashkëpunimi i Idriz Seferit me krerët e Rrafshit të Dukagjinit gjatë Kryengritjes së vitit 1912”, Fehmi Rexhepi “Idriz Seferi në tekstet shkollore të historisë në Kosovë”,  Blerim Haziri – “Roli i Idriz Seferit në çlirimin e Shkupit në gusht të vitit 1912”,  Ilir Vokshi – “Idriz Seferi sipas dokumenteve bullgare” , Enver Sadiku – “Idriz Seferi në shtypin francez”, Shqipe Doda – “Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe figura e Idriz Seferit”,  Jeton Idrizi –“ Bashkëpunimi i Idriz Seferit me parinë e Moravës së Epërme”,  Fitim Rifati – “Qëndrimi i Idriz Seferit ndaj pushtimit serb e bullgar në Kosovë 1912-1918”,  Nexhmedin Sejdiu – “Veprimtaria e Idriz Seferit 1919-1927”,  Besnik Kurteshi –  “Kontributi i Idriz Seferit në hapjen e shkollave shqipe” dhe  Jeton Rexhepi – “Idriz Seferi në artet pamore”.

Edhe në diskutimet që kanë pasuar pas tribunës shkencore janë dhënë shumë detaje nga veprimtaria e Idriz Seferit, kurse të gjitha punimet do të botohen në ditët në vazhdim. Naim Musliu, studiues i ka shpallur tw mbyllur punimet e sesionit shkencor.

Ndryshe, Komuna e Gjilanit në kalendarin e saj për këtë vit ka paraparë aktivitete të vazhdueshme për çdo muaj, të cilat i kushtohen heroit, përfshirë edhe zhavarrosjen e eshtrave në Varrezat e Dëshmorëve, ndërkaq më 28 nëntor do të përfundojnë aktivitetet në mënyrë solemne me vënien e shtatores së madhe të tij në qendër të qytetit.

 

 

You Might Also Like