Libri

U promovua libri “Epoka Demaçiane dhe shkrime të tjera” i autorit Izmi Zeka

Në kuadër të aktiviteteve letrare të Manifestimit ‘Vjeshta Letrare e Gjilanit”, që po organizohet për herë të nëntë me radhë, nën përkujdesjen e Ars Club “Beqir Musliu”, të shtunën është promovuar libri më i ri i Izmi Zekës: “Epoka Demaçiane dhe shkrime të tjera”, për të cilën libër folën: Sabit Rrustemi, botues, Nexhat Rexha e Arsim Halili, recensentë si dhe Mehmetali Rexhepi, poet e eseist.

Rrustemi në fjalën e tij vlerësoi shumë pjesëmarrjen e dashamirëve të librit dhe ngjarjeve kulturore në këtë aktivitet duke thënë se Manifestimi “Vjeshta Letrare e Gjilanit”po vazhdon edicionin e nëntë ku sot po e promovojmë librin më të ri të Izmi Zekës, i edituar përmes Ars CLubit “Beqir Musliu” e që titullohet “Epoka Demaçiane dhe shkrime të tjera”.

Rrustemi ka vlerësuar lartë angazhimin e Izmi Zekës duke thënë se ai është i njohur si historian por edhe për veprimtarinë e tij kombëtare e institucionale si dhe përmes shkrimeve duke sjellë një libër të ri për të dëshmuar pjekuri dhe ngritje të mëtejme si ndriçues i figurave të historisë së Kosovës por edhe si vlerësues i zhvillimeve politike në vend e më gjerë.

Recensenti, Nexhat Rexha ka thënë se libri i Izmi Zekës: “Epoka Demaçiane dhe shkrime të tjera”, vjen si rezultat i përkushtimeve hulumtuese e historike, por edhe angazhimeve në shtjellimin e aktualitetit politik në Kosovë, të cilat vazhdojnë të mbeten provokuese. Si për institucionet ashtu edhe për publikun e gjerë.

“Autori në këtë vepër ka ruajtur me kujdes unifikimin e periudhave historike të cilat kanë arritur të mbajnë gjallë frymën atdhetare. Liria e Atdheu në veprën e Izmiut bashkudhëtojnë për të mundur kohët e rënda”, ka thënë Rexha.

Më tej ai tha se në të gjitha trajtimet e librit autori ka lidhur kohët dhe dinastitë e fuqive të mëdha për të njohur dhe për të kuptuar rrugët që kanë krijuar ndikim në fatin e popujve të shtypur. Libri pasqyron e ndriçon pikëpamje që ndërlidhin historinë duke iu dhënë ngjarjeve reflektimin, me njohjen edhe të disa figurave historike të fundshekullit XX e fillim shekullit XXI, siç është fjala edhe për vet emrin e Adem Demaçit.

Arsim Halili, ishte referuesi tjetër në këtë përurim libri, sipas të cilit “Epoka Demaçiane dhe shkrime të tjera” e Izmi Zekës ndahet në katër pjesë: “Shpalime, “Meditime”, Gjykime” dhe “Vrojtime”. Ky libër, sipas Halilit, me përmbajtjen e tij, ofron vërtetësi dhe objektivitet të lakmueshëm për të gjitha ngjarjet e trajtuar historike dhe politike. Autori është në koherencë përballë lexuesit gjithmonë me freski tematike, derisa referuesi tjetër Mehmetali Rexhepi, tha se libri i radhës i historianit dhe veprimtarit kombëtar e politik, Izmi Zeka, e titulluar “Epoka Demaçiane dhe shkrime të tjera”, hapet me brengën për veprimtarët, atdhetarët e devotshëm, për ata të cilët mbeten të pa trajtuar si duhet, të pa vendosur në vendin meritor të historiografisë sonë kombëtare.

Ndërsa, autori i librit, Izmi Zeka ka falënderuar të gjitha ata që me pjesëmarrjen e tyre në këtë promovim e nderuan, duke vënë në pah se kemi mjaftë figura të rëndësishme kombëtare dhe përtej,për të cilët duhet shkruar, sidomos Gjilani e Anamorava duhet bërë më shumë, të shkruhet më tepër për këto figura emblematike të Kosovës, ka thënë ai.

Ndryshe, “Epoka Demaçiane dhe shkrime të tjera”, është libri i pestë i Izmi Zekës, u përurua në kuadër të edicionit të nëntë të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, aktivitetet e të cilit manifestim do të vazhdojnë të shtunave tjera.

You Might Also Like