Futboll

Vavalis: Kemi ekipin dhe motivin

Xhiroja e 7-të në Superligë për klubin tonë sjell ndeshjen FC Feronikeli 74 – FC DRITA, të enjtën në ora 15:00.

Në konferencë para gazetarëve folën kryetrajneri, Akis Vavalis dhe futbollisti, Kastriot Selmani.

Trajneri, Vavalis tha se ndeshja e nesërme do të jetë ndaj një rivali me futboll sulmues, por FC DRITA tashmë ka kaluar krizën e rezultateve.

“Kemi ndeshjen e radhës, kundër një skuadre kaq të mirë të cilët edhe në ndeshjen e kaluar dëshmuan se luajnë futboll të mirë dhe sulmues. Për ne ishte e rëndësishme fitorja dhe reagimi kundër Prishtinës dhe ka qenë shumë e rëndësishme të marrim rezultat pozitiv. Tani e tutje besoj kemi ekipin, por edhe motivin për të marrë më të mirën nga ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Vavalis.

Ai më tej theksoi se gjithsesi ka aspekte për t’u ndryshuar edhe në lojën tonë, por këtë do ta bëjmë në ndeshje të tjera.

“Nuk duhet ta harrojmë faktin se jemi skuadra me mbrojtjen më të mirë në kampionat dhe duhet të përmirësohemi në pjesën e fundit të lojës që të jemi më të rrezikshëm. Duhet të mbajmë ritmin fizik, të jemi të përgatitur fizikisht dhe psiqikisht, sepse kemi tri ndeshje në javë”, ka përfunduar trajneri, Akis Vavalis.

Kurse, futbollisti Selmani tha se FC Feronikeli 74 mund të jetë i rrezikshëm, por me bashkëlojtarët do të synojnë pikët maksimale në Drenas.

” Fitorja ndaj Prishtinës ka ardhur si rezultat që kemi punuar si grup, duke besuar në njëri tjetrin. Kemi qenë paksa në krizë të rezultateve, por fitorja ka ardhur në momentin e duhur. Në ndeshje ndaj Feronikelit do të shkojmë për fitore, tri pikë dhe për t’i rikuperuar pikët e humbura”, ka thënë Selmani.

Ndeshja FC Feronikeli 74 – FC DRITA zhvillohet nesër, e enjte ora 15:00, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

You Might Also Like