Lutfi Haziri, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, së bashku me ekipin e tij, ka vizituar strukturat e partisë në Velekincën e Mulla Idriz Gjilanit, prej të cilëve ka marrë mbështetjen e fuqishme për t’i prirë Komunës edhe për një mandat, sikurse edhe që ka marrë propozimet për investime komunitare.
“Ajo që do të them këtu është se janë tejkaluar premtimet e kryetarit të cilat i ka dhënë në Velekincë. Jemi krenarë dhe falënderues për investimet që i ka bërë në fshatin tonë. Tash kërkesa jonë është caktimi i lokacionit të ri të varrezave të fshatit”, ka thënë kryetari i nëndegës së LDK’së në Velekincë, Salih Kqiku, me konstatimin e të cilit janë pajtuar të gjithë të pranishmit.
Kandidati i LDK’së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar banorët e fshatit për këtë mbështetje, përderisa u zotua se së shpejti do të caktohet lokacioni i ri i varrezave.
“Ajo që po ju them është se në Velekincë nuk kemi me u ndalë tuj punu. E kemi pasur prioritet këtë fshat dhe “Lagjen e Vishnjeve” dhe vërtetë i kemi modernizuar të dyjat. Velekincën e kemi trajtuar si paralagje e qytetit sa i përket investimeve. Faleminderit për këtë përkrahje kaq masive. Po ua jap fjalën se lokacionin e varrezave në Velekincë do ta caktojmë së shpejti dhe të gjitha punët tjera do t’i kryejmë sipas kërkesave tuaja”, tha Haziri.