Gjilan

Vendimmarrësit e Gjilanit themelojnë 11 trupa ndihmëse të Kuvendit  

Vendimmarrësit e Gjilanit themelojnë 11 trupa ndihmëse të Kuvendit  

Gjilan, 27 janar / Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, nën kryesimin e Arianit Sadikut, ka miratuar vendimin për themelimin e komiteteve dhe numrin e anëtarëve të Komiteteve obligative dhe Komiteteve të tjera, vendimin për zgjedhjen e anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit në Kuvendin Asociacionit të Komunave të Kosovës si dhe vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit vjetor të punës të Kuvendit për vitin 2022, ndërkaq propozim-vendimi për miratimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve, është shtyrë për seancën tjetër.

Pas një debati të gjerë rreth formulës së përfaqësimit politik dhe gjinor në komitete, ku pati edhe mospajtime, sidomos nga përfaqësuesi i AAK-së, Nazim Gagica,  Kuvendi ka votuar për themelimin e 11 komiteteve dhe përbërjet e tyre.

Komiteti për Politikë dhe Financa dhe Komiteti për Komunitete, si trupa obligative, do t`i kenë 9 anëtarë, përkatësisht 7, derisa komitetet tjera, jo obligative, do t`i kenë nga 5 anëtarë.

Kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku ka kërkuar nga subjektet politike që deri të hënën t`i sjellin emrat për secilin komitet, sipas formulës së miratuar për përfaqësim, duke respektuar edhe kriterin gjinor, në mënyrë që këta trupa të bëhen funksionalë sa më parë.

Për përfaqësim në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Kuvendi zgjodhi Imran Haziri (LDK), Mimoza Kadriun (LVV) dhe Bujar Nevzatin (PDK).

Po ashtu, në këtë seancë, është themeluar edhe grupi punues për hartimin e planit vjetor të punës të Kuvendit, prej 9 anëtarësh (LDK, LVV, PDK dhe G/3), derisa propozim-vendimi për orarin e mbledhjeve u shty për seancën e radhës, me qëllim harmonizimi të propozimeve rreth kohës së fillimit të seancave.

Kuvendi Komunal parashihet t`i mbajë 12 seanca brenda një viti kalendarik, apo më së paku 10 sosh, derisa komitetet jo obligative mund të mbajnë sa të duan takime, por kompensohen vetëm për 6 mbledhje.

Në harmonizimin e qëndrimeve rreth këtyre pikave të rendit të ditës, me diskutimet e tyre kontribuuan Avdyl Aliu, Krenare Latifi, Leonora Morina Bunjaku, Nazim Gagica, Shpresa Kurteshi, Kushtrim Kadriu, Ismajl Kurteshi, Gentrit Murseli, Bujar Nevzati, Mimoza Kadriu, Arianit Ibrahimi, Besnik Shala dhe të tjerë.

Ismajl Kurteshi ka kërkuar një riorganizim të mbledhjeve të Kuvendit, për të krijuar mundësi për qytetarët dhe për këshilltarët komunalë që në fillim të çdo seance t`i kenë nga 30 minuta për adresime të ndryshme dhe po kaq minuta edhe për ekzekutivin, që të përgjigjet në çështjet e ngritura, por jo domosdo duhet ta bëjë këtë në të njëjtën seancë.

You Might Also Like